Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se Sali Berisha mund të largohet nga politika vetëm duke u dënuar nga gjykata, ose duke u ndërgjegjësuar qytetarët që ai është një patericë e kryeministrit Edi Rama dhe duhet votuar një parti tjetër opozitare.
Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, ku tha se dënimi i Berishës nga gjykatat në Shqipëri është shumë i vështirë, pasi sipas tij, asnjë gjykatës nuk e merr guximin për një vendim të tillë.
“Unë konsideroj që Berishën mund ta largojnë tre faktorë nga PD. Unë mendoj se Berishën mund ta largojë Zoti, mund ta largojë Rama dhe mund ta largojë Gjykata përmes dënimit me burg. Mendoj që Zoti nuk e merr, sepse ai është aq i ligë, sa zakonisht të ligët nuk i merr, zakonisht merr të mirët shumë shpejtë. E dyta, mendoj që edhe Rama nuk e heq, nuk e përdor super-pushtetin e tij, sepse është njeriu më i interesuar për të mbyllur hesapet e tij politike, kalkulimet e tij, ndryshimet kushtetuese dhe për t’i thënë faktorit ndërkombëtar ‘ose gogoli, ose unë’. Edhe faktori ndërkombëtar bie dakord me një lloj establishmenti, sepse ka shfaktorizuar Berishën dhe mbaron punët e veta me Ramën dhe PS-në, të cilët i hapin rrugën për çdo gjë edhe BE-së edhe SHBA-së.
I vetmi faktor që mund ta largojë Berishën nga politika dhe kreu i PD-së, është një dënim penal nga gjykata, por duhet të jetë shumë i vështirë. Sepse socialistët do të luajnë çdo lloj guri që Berisha të mos dënohet penalisht dhe të shpallet e pafajshëm. Që të funksionojë kjo procedurë kushtetuese dhe ligjore për ta larguar nga politika, është shumë e vogël dhe mendoj që nuk ka gjyqtarë që ka kurajon dhe guximin që ta nxjerrë nga politika. Pra, e vetmja mënyrë është ose me dënim penal, ose me parti nga jashtë, që do të thotë se shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen që ai është një patericë e Ramës dhe duhet votuar një alternativë tjetër”, tha Spahiu./A.D
