Last Updated on 23/02/2026 by Anisa
Këshilli i Imunitetit u mbledh sot për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për marrjen e autorizimit për arrestimin e Zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Mbledhja, e zhvilluar me dyer të mbyllura, u shoqërua me debate mes përfaqësuesve të partive kryesore parlamentare.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi që mbledhja të mbahej me dyer të hapura, duke argumentuar se qytetarët kanë të drejtë të ndjekin procesin:
“Në parim, mbledhjet e organeve të Kuvendit janë të hapura dhe nuk ka asnjë arsye që kjo mbledhje të mbahet me dyer të mbyllura. Ju zoti Kryetar keni detyrimin që ta hidhni këtë në votim. Nuk mund t’i fshiheni publikut vjedhjen nga Belinda Balluku të miliona eurove, apo bashkëfajësinë e Edi Ramës në këtë çështje.”
Përgjigjen e dha kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili theksoi se kërkesa për dyer të mbyllura është bërë nga vetë Prokurori:
“Kërkesa është e qartë, prokurori e do me dyer të mbyllura. Jeni qesharakë, thoni duam pikën 1 dhe nuk duam pikën 2 të të njëjtës kërkesë nga prokurori. Mjerë Shqipëria për këtë opozitë.”
Në mbledhje ishin të pranishëm tre prokurorët e SPAK, përfshirë drejtuesin Klodian Braho, si dhe prokurorët që po hetojnë Ballukun, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Avokatët e Zëvendëskryeministres, Pamela Qirko dhe Ardian Kalija, gjithashtu morën pjesë.
Qëllimi i mbledhjes është shqyrtimi i heqjes së imunitetit të Ballukut, një hap ky që do t’i hapte rrugë arrestimit të saj, me masë burg, arrest shtëpie ose kontroll banese.
Disa ditë më parë, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Kryeministri Edi Rama theksoi se:
“Parlamenti do të shprehet fillimisht për imunitetin, më pas për ndryshimet ligjore.”
Ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale kërkojnë 84 vota në Parlament dhe kufizojnë mundësinë e gjykatës për të vepruar ndaj presidentit, kryeministrit, zv/kryeministrit, ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit dhe Kreut të KLSH vetëm përmes masës së pezullimit nga detyra.
Zëvendëskryeministrja Balluku po hetohet për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe është në hetim edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe./A.D
