Viti 2025 ishte një nga kapitujt më domethënës të sportit shqiptar në dekadat e fundit, si në aspektin e rezultateve sportive, ashtu edhe në organizimin e eventeve ndërkombëtare dhe rritjen e përfaqësimit të Shqipërisë në arenën globale. Ky vit u karakterizua nga arritje historike, konsolidim i projekteve sportive dhe zgjerim i ndikimit të sportit shqiptar përtej kufijve kombëtarë.
Arritja më e rëndësishme sportive e vitit erdhi nga Kombëtarja shqiptare e futbollit, e cila siguroi për herë të parë në histori kualifikimin në fazën “play off” të Kampionatit Botëror.
Ekipi i drejtuar nga Silvinjo e mbylli grupin kualifikues në vendin e dytë, duke lënë pas Serbinë dhe duke siguruar një objektiv që për shumë vite kishte mbetur i paarritshëm për futbollin shqiptar.
Rrugëtimi i Shqipërisë në kualifikuese nisi më 21 mars me humbjen 2-0 ndaj Anglisë në Londër, në një përballje ku diferencat teknike dhe fizike ishin të dukshme. Vetëm tre ditë më vonë, kuqezinjtë reaguan duke fituar 3-0 ndaj Andorrës, rezultat që riktheu balancat në grup.

Muaji qershor solli vështirësi, me barazimin pa gola ndaj Serbisë në Tiranë dhe barazimin 1-1 ndaj Letonisë në transfertë, duke mbajtur të hapur garën për vendin e dytë.
Pika e kthesës erdhi në shtator, kur Shqipëria fitoi 1-0 ndaj Letonisë dhe rifitoi terren në renditje. Më 11 tetor, fitorja 1-0 ndaj Serbisë në Leskovc u shndërrua në një nga rezultatet më të rëndësishme të historisë së Kombëtares, duke e afruar ndjeshëm ekipin me “play off”-in.
Kualifikimi u vulos matematikisht në nëntor, pas fitores 0-1 ndaj Andorrës. Ndeshja e fundit ndaj Anglisë në “Air Albania” u mbyll me humbje 2-0, por Shqipëria e përfundoi grupin në vendin e dytë, duke siguruar një kapitull të ri në historinë e saj futbollistike.
Fokusi ka kaluar te ndeshjet e “play off”, ku kuqezinjtë sfidojnë Poloninë në transfertë dhe në rast triumfi do të përballen po në transfertë, me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi.
Një tjetër moment kyç i vitit 2025 ishte organizimi i Kampionatit Evropian U-17 në futboll. Shqipëria priti një eventtë përmasave të mëdha, me ndeshje të zhvilluara në disa qytete dhe me pjesëmarrjen e federatave më të rëndësishme evropiane.

Në aspektin sportiv, Kombëtarja U-17 nuk arriti rezultate pozitive, duke pësuar tre humbje në fazën e grupeve dhe pa shënuar gol. Portugalia u shpall kampione e Evropës, ndërsa organizimi u vlerësua maksimalisht nga UEFA, duke forcuar reputacionin e Shqipërisë si vend organizator.
Në futbollin vendas, sezoni 2024-2025 u mbyll me suksesin e Egnatias, e cila u shpall kampione për herë të dytë radhazi. Rrogozhinasit dominuan finalen ndaj Vllaznisë, duke fituar 4-0 dhe duke konfirmuar stabilitetin sportiv.

Në Kupën e Shqipërisë, Dinamo u rikthye te trofeu pas 22 vitesh, duke mposhtur Egnatian në finale pas penalltive. Në kompeticionet evropiane, skuadrat shqiptare patën një ecuri të kufizuar. Dinamo ishte përjashtimi pozitiv, duke arritur deri në fazën “play of” të Konferencë Ligës, ku u eliminua nga polakët e Jagelonia. Skuadrat e tjera u ndalën në fazat paraprake.

Nga Kategoria e Parë, Vora u ngjit për herë të parë në Superiore, ndërsa Flamurtari u rikthye në elitë. Pogradeci u mposht nga Tirana në ndeshjen “play out” me rezultatin 1-0, duke mbetur në Kategorinë e Parë. Nga Superiorja ranë Skënderbeu dhe Laçi, duke mbyllur një cikël të rëndësishëm për këto klube.

Viti 2025 ishte gjithashtu historik për sportin shqiptar në aspektin organizativ. Për herë të parë, Xhiro D’Italia nisi nga Shqipëria, me etapa në Durrës, Tiranë dhe Vlorë, duke e kthyer vendin në qendër të vëmendjes së çiklizmit botëror.
Ky event pati ndikim të drejtpërdrejtë në imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe në promovimin e sportit dhe turizmit.

Në Durrës u zhvillua Kampionati Evropian i Peshëngritjes për të rinj dhe U-23, një event kontinental me pjesëmarrje të gjerë. Po aty u organizua edhe Kampionati Botëror i Shahut për moshat U14 deri U18, duke e futur Shqipërinë në hartën e organizimeve të mëdha të FIDE-s.
Në sportet ujore, Shqipëria u përfaqësua në Kampionatin Botëror të Sporteve Ujore 2025, me sportistë që konkurruan në disiplinat olimpike të notit. Paralelisht, sportet luftarake, si MMA dhe boksi, shënuan zhvillim të qëndrueshëm, me eventeballkanike dhe evropiane të organizuara në vend dhe me pjesëmarrje aktive të sportistëve shqiptarë.
Një kapitull i veçantë i vitit 2025 i përket mundjes. Në prill, mundësi i natyralizuar shqiptar Çermen Valiev shkroi histori për sportin shqiptar duke fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian të Mundjes, të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë.

Në finalen e stilit të lirë për peshën 74 kilogramë, Valievtriumfoi ndaj rusit Sidakov me rezultatin 4-2, pas një përballjejetë fortë dhe të balancuar. Vendimi përfundimtar u konfirmua pas rishikimit të pamjeve filmike, të cilat certifikuan epërsinë e Valievit.
Rrugëtimi i tij drejt finales ishte dominues. Në çerekfinale, Valiev mposhti Ramazanov me rezultatin e thellë 10-0, ndërsa në gjysmëfinale kaloi azerin Novruzov me shifrat 6-0. Medalja e artë në Bratislavë u shtua në një seri rezultatesh të rëndësishme për sportistin, i cili më parë i kishte dhuruar Shqipërisë medaljen e parë olimpike në Lojërat e Parisit, duke hyrë në historinë sportive të vendit.
Po gjatë vitit 2025, Valiev u ndal vetëm në finalen e Kampionatit Botëror të Mundjes. Në finalen e peshës 74 kilogramë stil i lirë, 26-vjeçari u mposht 8-2 nga japonezi Takahashi, duke siguruar për Shqipërinë medaljen e argjendtë.
Ky rezultat konfirmoi vazhdimësinë e tij në elitën botërore të këtij sporti dhe përforcoi pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të mundjes.

Në sportet dimërore, Lara Kolturi vazhdoi të jetë një nga emrat më të spikatur. Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë u ngjit disa herë në podium në garat e Kupës së Botës në slalom, duke u renditur e dyta në Levi të Finlandës dhe në Gurgël të Austrisë, si dhe duke siguruar një vend të tretë në një tjetër garë.
Në Kampionatin Botëror të Skive Alpine 2025, ajo nuk e përfundoi garën e slalomit, ndërsa në sllallomin gjigant u rendit brenda dhjetë vendeve të para, duke konfirmuar nivel të lartë konkurrimi.
Në sportet kolektive të sallës, viti 2025 solli zhvillime dhe rezultate të rëndësishme në volejboll dhe basketboll, duke konfirmuar stabilitetin dhe rritjen e nivelit konkurrues në kampionatet kombëtare, si dhe aftësinë organizative të Shqipërisë në evente ndërkombëtare.

Në volejboll për meshkuj, Partizani u shpall kampion i Shqipërisë për sezonin 2024-2025, duke dominuar plotësisht fazën finale të kampionatit. Skuadra e kuqe mposhti Skënderbeun në finalen e tretë të “play off”-it me rezultatin 3-0, duke e mbyllur serinë e finaleve me shifrat e pastra 3-0. Partizani e kurorëzoi titullin pas një sezoni të jashtëzakonshëm, ku nuk regjistroi asnjë humbje në të gjitha ndeshjet e zhvilluara gjatë kampionatit, duke treguar diferenca të dukshme me rivalët.

Në volejboll për femra, Tirana u shpall kampione e Shqipërisë për sezonin 2024-2025, pasi triumfoi edhe në finalen e tretë ndaj Skënderbeut në Korçë me rezultatin 3-1. Kryeqytetaset e mbyllën serinë e finaleve me rezultatin e përgjithshëm 3-0, duke siguruar titullin kampion. Ky ishte titulli i 21-të në historinë e Tiranës në volejboll për femra dhe i pari pas 12 vitesh, që nga sezoni 2012-2013, sërish nën drejtimin e trajnerit Ardian Gorenca.
Në nivel ndërkombëtar, Tirana ishte një nga qytetet pritëse të Kampionatit Evropian U16 për vajza, një turne prestigjioz që u zhvillua për herë të parë në bashkëorganizim mes Shqipërisë dhe Kosovës. Finalja e kompeticionit u luajt në Tiranë, ku Polonia u shpall kampione e Evropës pas fitores 3-1 në sete ndaj Turqisë.
Në ndeshjen për vendin e tretë, Italia mposhti Çekinë me rezultatin 3-0, duke fituar medaljen e bronztë. Ky kampionat u vlerësua si historik për rajonin, duke vendosur standarde të reja organizimi dhe duke marrë vlerësime pozitive nga Konfederata Evropiane e Volejbollit për kushtet dhe profesionalizmin.
Në garat për trofetë kombëtarë, Partizani u shpall fitues i Kupës së Federatës 2025 në volejboll për meshkuj, pasi mposhti Tiranën në finalen e zhvilluar në sallën sportive të Farkës me rezultatin 3-0.

Ndërkohë, në volejboll për femra, Tirana fitoi Kupën, duke mposhtur në finale ekipin e Pogradecit me rezultatin 3-1, duke kompletuar një sezon të suksesshëm në të dy frontet.

Edhe basketbolli shqiptar pati një sezon të spikatur. Në basketboll për meshkuj, Besëlidhja u shpall kampione e Shqipërisë për sezonin 2024-2025. Skuadra lezhjane i mbylli finalet e “play off”-it ndaj Teutës me tre fitore radhazi, duke triumfuar edhe në ndeshjen e tretë të zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Ky ishte titulli i dytë radhazi për Besëlidhjen, pas një sezoni të dominuar në çdo aspekt të lojës.
Me fitimin e kampionatit, Besëlidhja e mbylli sezonin me një tripletë trofesh, pasi më herët kishte fituar edhe Superkupën dhe Kupën e Shqipërisë. Diferencat mes Besëlidhjes dhe rivalëve në finalet e këtij sezoni u konsideruan ndër më të theksuarat e dekadave të fundit në basketbollin shqiptar për meshkuj, duke reflektuar epërsinë sportive të skuadrës lezhjane.

Në basketboll për femra, Flamurtari u shpall kampion i Shqipërisë, duke fituar ndeshjen e tretë finale ndaj Tiranës me rezultatin 63-53. Ekipi vlonjat dominoi takimin nga fillimi në fund dhe siguroi titullin e 26-të kampion në historinë e klubit.
Ky sukses plotësoi një sezon shumë të suksesshëm për Flamurtarin, i cili më herët kishte fituar edhe Ligën Unike dhe Superkupën, duke mbyllur edicionin me tre trofe dhe duke u konfirmuar si skuadra më e fortë e sezonit në basketbollin e femrave.
Këto arritje në volejboll dhe basketboll plotësuan panoramën e një viti të ngarkuar dhe të rëndësishëm për sportin shqiptar, ku rezultatet sportive, organizimi i eventeve dhe përfaqësimi ndërkombëtar u ndërthurën për të ndërtuar një pasqyrë të gjerë të zhvillimit të sportit në Shqipëri gjatë vitit 2025./KM
