Last Updated on 03/04/2026 by Anisa
Si ish-drejtuese e Kuvendit, Elisa Spiropali ka reaguar mbi punimet e fundit parlamentare, duke shprehur shqetësimin për mënyrën se si po zhvillohet debati dhe funksioni i institucionit ligjvënës. Sipas saj, ajo që po ndodh në Kuvend nuk lidhet vetëm me tensionin politik të momentit, por me një problem më të thellë që prek vetë aftësinë e Parlamentit për të prodhuar politikë dhe për të ushtruar rolin e tij kontrollues dhe përfaqësues.
Në reagimin e saj, Spiropali thekson se kriza aktuale nuk është thjesht një çështje e përplasjeve politike, por një krizë që prek vetë thelbin e Republikës Parlamentare, duke paralajmëruar për një dobësim të funksionit institucional të Kuvendit.
Reagimi i plotë i Elisa Spiropalit:
Kriza e Parlamentit është kriza e Republikës Parlamentare.
Dje në Parlament nuk pamë vetëm tension. Pamë një mekanizëm që po dështon të prodhojë politikë.
Kjo që po ndodh në Parlament nuk është diçka e panjohur për politikën. Konflikti ka qenë gjithmonë pjesë e saj. Por sot problemi nuk është konflikti në vetvete. Problemi është se konflikti banal po zëvendëson funksionin.
Parlamenti nuk po arrin më të ushtrojë rolin e tij përfaqësues dhe kontrollues. Në vend që të jetë hapësira ku përfaqësohen interesat e shoqërisë dhe ku kontrollohet qeverisja dhe institucionet, ai po kthehet në një arenë ku energjia po shpërdorohet pa prodhuar drejtim.
Kur funksioni atrofizohet, pasoja e parë është bjerrja e besimit. Dhe kur bie besimi, nuk dobësohet vetëm Parlamenti, por vetë ideja e Republikës Parlamentare.
Sepse një Republikë Parlamentare nuk mbahet vetëm me procedura. Mbahet me funksion. Me debat që prodhon kuptim. Me kontroll që prodhon përgjegjësi.
Nëse kjo vazhdon, rreziku nuk është thjesht një Parlament i dobët. Rreziku është që Republika Parlamentare të mbetet vetëm formë, dhe jo përmbajtje.
Europa kërkon nga ne atë që duhet të kërkojmë nga vetja: institucione që funksionojnë, jo vetëm që ekzistojnë.