Last Updated on 05/02/2025 by adminfjala
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka vlerësuar punën e kryebashkiakut Erion Veliaj për transformimin e kryeqytetit. Duke folur në Samitin e Paktit të Qyteteve të Lira, Spiropali deklaroi se Tirana është një nga motorrët më të fuqishëm të gjithë kësaj lëvizje të këtyre ndryshimeve për europianimzin e Shqipërisë.
“Ne kemi shpallur si objektiv strategjik kombëtar anëtarësimin në familjen europiane brenda vitit 2030 dhe po punojmë fort për ta realizuar këtë objektiv. Tirana është një nga motorrët më të fuqishëm të gjithë kësaj lëvizje, të këtyre ndryshimeve për europianizmin e Shqipërisë. Tirana nuk është vetëm një qytet dinamik dhe me zhvillim të shpejtë, por dhe një model i politikave urbane progresive, një kantier ndryshimesh si një laborator i qeverisjes efektive.
Çfarë ishte dikur e mjaftueshme si fjetinë, nesër gjithmonë e më shumë duhet të jetë pushteti I të bukurës së dobishme që rrit dhe çmon cilësinë e jetës së qytetarit që e bën atë më të lehtë. Ne në Tiranë, këtë e dimë shumë mirë, edhe falë punës së Erionit dhe Bashkisë Tiranë”, deklaroi Spiropali.
Pjesë nga fjala e Spiropalit
Eshtë kënaqësi e veçantë të përshëndes këtë Samit të Paktit të Qyteteve të Lira, këtu në Tiranë, kryeqytetin e vendit tonë. Në këtë Samit që ka bërë bashkë drejtues të qyteteve, politikëbërës e vizionarë të angazhuar për të ndërtuar qytete të lira, për të formësuar e zhvilluar shoqëri të hapura dhe kontribuar në të ardhmen demokratike të vendeve tona, dalloj online edhe një mik të largët. Vitali Klitschko, kryetar i bashkisë së Kievit.
Kievi i Klitschos prej tre vitesh zgjohet jo nga zilet e orës së nisjes së punës, por nga sirenat që paralajmërojnë sulmet me dronë e raketa si në çdo skaj e cep të Ukrainës martire, peng i një luftë shkatërrimtare të paprovokuar. Pak muaj pas nisjes së luftës, në qershorin e 2022shit, në një delegacion me kryeministrat e Shqipërisë dhe Malit të Zi vizituam Kievin, Irpinin dhe Borodyankën, në periferi të Kievit, ku njēsoj si në Bucha kishin ndodhur masakra të përbindshme. Zemra atëherë priste që lufta të mbaronte një orë më parë, kurse logjika pranonte se e keqja do të kryente ciklin e saj kriminal e të padurueshëm.
Sot kur fshatra e qytete janë rrënuar, kur mijëra jetë janë ndërprerë në mënyrë tragjike dhe kanë ndryshuar njëherë e përgjithmonë, kur tuneli i errët i luftës është ende larg dritës në dalje të tij, megjithatë ka shpresë. Ka shpresë që herët a vonë, paqja me çmimin e gjakut do të vendoset dhe do të fillojë rilindja e shërimi i plagëve. Dhe ndoshta do të rishkruhet edhe një ligj i ri i urbanistikës humane: sa më të errëta, sa më të zymta e sa më të trishta gërmadhat e luftës, aq më të ndritshëm e të fortë qytetet që do të ngrihen mbi to! Të lutem, çoje në atdheun tënd këtë urim nga Shqipëria, i dashur Vitali! Herët a vonë do të zbrisni krenarë nga ringu i jetës, me dinjitetin e një populli kampion që nuk mposhtet sa kohë lufton për lirinë e tij.
Të dashur miq,
Eshtë zanat i politikanëve të flasin gjatë edhe kur fjala e profesionistëve duhet të dëgjohet edhe më gjatë. Dhe këtë besoj se ju do ta bëni jo thjesht për të ndarë përvoja e eksperienca, por dhe për të ngritur ura bashkëpunimi si përfaqësues institucionalë të qeverisjes së qyteteve tuaja, si “arkitektë” e “urbanistë” të jetës së qytetarëve tuaj dhe si mbrujtës të së tashmës dhe garantë të së ardhmes së tyre. Bota e sotme dhe ajo e të nesërmes së afërt është në një dinamikë të jashtëzakonshme, krejtësisht të papërfytyrueshme nga përditshmëria e qoftë dhe dy apo tre dekadave më parë. Madje edhe ca pak viteve më parë.
Udhëkryqet, pikëpyetjet, dilemat shumëplanëshe dhe ekuacionet me shumë të panjohura, që nga ndryshimet klimaterike tek zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë, nga të papriturat befasuese të inteligjencës artificiale tek paqëndrueshmëria ekonomike, nga varfëria në mjaft rajone të botës tek ndërlikimet gjeopolitike e konfliktet e armatosura dhe sfidat globale, po testojnë themelet e shoqërive tona. Po venë në diskutim shumëçka nga ato që quheshin si të mirëqena dhe të pandryshueshme deri dhe vetë zhvillimin njerëzor, kohezionin social e territorial apo dhe komunitetet urbane e rurale.
Rreziqet që janë shfaqur në horizont nuk janë të vogla, vështirësitë me të cilat do të jemi sot e nesër përballë nuk janë të lehta, zgjidhjet janë shumë të ndërlikuara dhe shpesh edhe kundërthënëse. Forca e solidaritetit njerëzor, zgjidhjet e plota, gjithëpërfshirëse dhe jo ato të pjesshme dhe egoiste, mund të jenë një nga kundërpeshat ndaj tyre, një garanci suksesi e shprese po për të sotmen e tensionuar dhe të nesermen ende të paparashikueshme.
Në kohë krizash, qytetet dhe komunitetet urbane janë të parët që e ndjejnë më tepër ndikimin e rreziqeve e sfidave.
Prandaj solidariteti urban nuk është thjesht një retorikë, por një domosdoshmëri jetike për shoqëritë tona.
Zhvillimi i vrullshëm urban dhe flukset e larta migratore, të cilat vijnë në qytetet tona, mungesat apo kufizimet e burimeve, paqëndrueshmëritë ekonomike e sociale, janë procese që ndërthuren me njeri-tjetrin.
Por qytetet, duke qenë targeti i parë dhe kryesor i zhvillimeve të mësipërme, janë e po bëhen njëkohësisht sfidantët e parë, inkubatorët e rritjes ekonomike e sociale, përballuesit e sfidave të zhvillimit dhe terreni që favorizon e mbështet platformat e bashkëpunimit. Qyteti është një instrument i dorës së parë në të cilin takohen e kryqëzohen kulturat, lulëzojnë idetë dhe konsolidohet qëndrueshmëria e zhvillimit.
Pra, aty ku godet më fort problemi, aty është dhe zgjidhja e tij.
Qytetet janë kontribuesit më aktivë në formësimin e shoqërive demokratike, duke ushqyer vlerat, mbështetur institucionet, përshtatur, madje edhe krijuar, praktikat demokratike, sipas nevojave të komuniteteve urbane, të cilat janë, pa dyshim, më të avancuarit e shoqërive tona.
Qytetet veprojnë si mbështetës të zhvillimeve demokratike jo përmes urdhrave a dekreteve, por përmes vetëveprimit të tyre, investimeve në ekonomi, infrastrukturë, shërbimet publike jetike për popullsinë dhe përpjekjeve për të ndërtuar komunitete dhe institucione lokalë, udhëhequr nga vlerat e drejtësisë sociale dhe kohezionit social.
Demokracia urbane është një nga thelbet e demokracisë bashkëkohore. Qytetet rindërtojnë demokracinë, sipas vizionit, jetës e nevojave të qytetarëve të tyre. Të cilët duhet të masin me minuta sesa shpejt shkojnë në një nga qendrat e qytetit policentrik, sa kohë ju duhet për të dërguar fëmijët në shkollë, për të vajtur në vendin e punës apo për të marrë shërbime të ndryshme e për të garantuar argëtim. Çfarë ishte dikur e mjaftueshme si fjetinë, nëser gjithmonë e më shumë duhet të jetë pushtet i të bukurës së dobishme që rrit e çmon cilësinë e jetës së qytetarit dhe e bën atë më të lehtë.
Tranzicioni në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera që iu bashkuan valës së tretë të demokratizimit në fillim të viteve 1990, është një proces shumëplanësh.
Mes proceseve që shoqërojnë tranzicionin demokratik, do të rendisja vetëm dy prej tyre që janë sinergjikisht të lidhura dhe influencojnë zhvillimin e lirë të qyteteve: tranzicionin demografik dhe atë urban.
Lëvizja jashtë vendit si një proces i pandërprerë i kërkimit të më shumē mundësive.
I dyti lidhet me lëvizjet e mëdha të popullsisë së zonave rurale drejt qyteteve, duke sjellë vlera të shtuara, por edhe probleme të mprehta për zhvillimin urban.
Nga një vend ku mbizotëronte popullsia rurale, e cila në vitin 1990 përbënte rreth dy të tretat e popullsisë, pas tre dekadash kemi arritur në pikën ku tashmë është popullsia e qyteteve që përbën rreth dy të tretat e popullsisë së vendit. Por këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me numra. Urbanizimi ka ndihmuar dhe vijon të kontribuojë në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik, rritjen e produktivitetit, rritjen e mirëqenies, uljen e varfërisë dhe, nëpërmjet sfidave që paraqet, edhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike.
Ne jemi përpjekur që sfidave t’u përgjigjemi, në disa raste edhe t’u paraprijmë, me politika adekuate. Besoj se nuk e teproj nëse pohoj, se mes vendeve të rajonit, madje mes vendeve të Europës Lindore, të cilat tre dekada e gjysëm më parë hynë në rrugën e transformimeve demokratike, Shqipëria ka pasur ritmet më të larta e më të shpejta të procesit të urbanizimit. Nëse dy dekada më parë u rijetësua me ngjyra grija e zymtë e trashëguar nga komunizmi dhe nisi rilindja e kryeqytetit, sot një pjesë e qyteteve shqiptare po marrin tiparet karakteristike sipas këtij nocioni.
Programi Rilindja Urbane dhe Rurale, nisur në vitin 2014, transformoi mbi 70 zona urbane dhe qendra rurale, duke rikrijuar hapësira komunitare dhe përmirësuar cilësinë e jetës. Investimet në infrastrukturë, pjesë e këtij programi, stimuluan punësimin dhe angazhimin rinor.
Të dy programet e mësipërme kanë pasur një ndikim të ndjeshëm në shndërrimin e Shqipërisë në një destinacion të rëndësishëm turistik, ku fluksi vjetor i turistëve ka arritur në mbi pesëfishin e popullsisë së vendit, dicka e pamendueshme disa vite më parë. Shqipëria, ky thesar me dete, male, liqene, lumenj, trashēgimi kulturore, ēshtē tashmē i zbuluar e i njohur nga miliona turiste që na vizitojnē cdo vit.
Të nderuar miq,
Ne kemi shpallur si objektiv strategjik kombëtar anëtarësimin në familjen europiane brenda vitit 2030 dhe po punojmë fort për ta realizuar këtë objektiv, që nuk është ambicja as vetëm e Kuvendit, as vetëm e qeverisë, as vetëm e Tiranës dhe e qyteteve, por e të gjithë shqiptarëve. Tirana është një nga motorët më të fuqishëm të kësaj lëvizjeje, të këtyre ndryshimeve për europianizimin e Shqipërisë. Prej vitit 2021, Tirana është një nga 38 qytetet anëtare të Paktit të Qyteteve të Lira, një angazhim që i jep asaj mundësinë të zhvillohet në mënyrë të balancuar dhe gjithëpërfshirëse, duke shmangur sfida si mbipopullimi, ndotja dhe infrastruktura joefikase, dhe duke u mirëqeverisur sipas standarteve europiane.
Ky është një hap strategjik drejt mbështetjes së modernizimit, integrimit evropian dhe zhvillimit të qëndrueshëm të të gjithë Shqipërisë. Përmes këtij rrjeti, qyteti ka akses në mbështetje, burime dhe njohuri që ndihmojnë në rritjen e tij në një mënyrë demokratike, të gjelbër, dhe ekonomikisht të qëndrueshme.
Tirana u shpall Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022, duke organizuar mbi 1000 aktivitete dhe 8 programe që promovuan vullnetarizmin, fuqizuan organizatat rinore, dhe forcuan identitetin evropian. Në vitin 2023, u shpall Qyteti Europian i Sportit, duke nxitur kulturën sportive si mjet për forcimin e komunitetit dhe mirëqenien sociale. Në vitin 2025, Tirana po mban titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, një iniciativë që do ta kthejë atë në një qendër arti dhe shkëmbimi kulturor mes vendeve mesdhetare dhe do të forcojë rolin e kryeqytetit të Shqipërisë si një agora e re e kulturës dhe dialogut mesdhetar e më gjerë.
Tirana nuk është vetëm një qytet dinamik dhe me zhvillim të shpejtë, por edhe një model i politikave urbane progresive, një kantier ndryshimesh si edhe një laborator i qeverisjes efektive.
Zonja e zotërinj,
Kuvendi i Shqipërisë ka mbështetur procesin e urbanizimit duke hartuar një legjislacion bashkëkohor. Miratimi i ligjeve mbi planifikimin dhe zhvillimin e territorit, qeverisjen vendore, nxitjen e investimeve, turizmin, zhvillimin e qëndrueshëm, ruajtjen e mjedisit, zonat e mbrojtura, përmirësimin e infrastrukturës, zgjerimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, mbështetjen për hyrjen në tregje etj. janë pjesë e këtij kontributi.
Zhvillimit të harmonizuar urbano-rural, kohezionit territorial, ngushtimit të dallimeve mes zonave urane e rurale dhe rritjes së qasjes të këtyre të fundit në burimet e zhvillimit, u shërbejnë edhe reformat administrative territoriale të kryera gjatë dhjetë vjetëve të fundit.
Duke u rikthyer në projektin tonë europian, ne inkurajojmë qytetet tona të përfitojnë nga mundësia e aksesit të drejtpërdrejtë në fondet e BE-së, duke reduktuar varësinë nga financimi qeveritar. Burimet financiare të Bashkimit Europian, të harmonizuara me bashkëpunimin në kuadrin e Paktit të Qyteteve të Lira, rrisin mundësitë për zhvillimin dhe modernizimin e qyteteve, transformimin dixhital, lëvizshmërinë, rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, nxisin inovacionin dhe tërheqin investime të huaja, duke forcuar jo vetëm bashkitë dhe ekonominë lokale, por edhe atë kombëtare.
Per këtë arsye, Kuvendi i Shqipërisë dhe ne si parlamentarë, po mbështesim politikat që sigurojnë një lidhje të fortë midis zhvillimit lokal dhe atij kombëtar, duke u siguruar që nismat inovative të përkthehen në një zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë.
Po punojmë për të lehtësuar bashkëpunimin midis niveleve qendrore e lokale të qeverisjes, duke siguruar që qytetet të kenë mjetet dhe burimet e nevojshme për të përparuar.
Bashkitë nuk janë thjesht njësi administrative, por shtylla të demokracisë, të asaj lokale, si edhe të zhvillimit. Mirëqeverisja e qyteteve është premisë e qëndrueshmërisë urbane.
Prandaj, le të punojmë më shumë që politikat tona të reflektojnë këtë realitet dhe të nxisin një bashkëpunim të frytshëm mes interesave vendore dhe qëllimeve kombëtare.
Bashkëpunimi e solidariteti janë jo vetëm vlera, por edhe potenciale dhe mekanizma zhvillimi.
Le të shërbejë ky takim për të ritheksuar se qytetet nuk avancojnë pa bashkëpunim, komunitet nuk lulëzojnë pa ndërveprim, dhe se së bashku bëhemi më të fortë.
Suksese Samitit! Shijojeni Tiranen!/k.k