Një studim i ri shkencor ka hedhur dritë mbi një nga misteret më të mëdha historike, duke sugjeruar se Kristofor Kolombi mund të ketë prejardhje nga fisnikëria galike në Spanjë, konkretisht nga linja e familjes Sotomayor.
Hulumtimi, i publikuar si paraprint në platformën bioRxiv, është realizuar nga një ekip studiuesish nga laboratori Citogen dhe Universiteti Complutense i Madridit. Studimi bazohet në analiza gjenetike të mbetjeve njerëzore të zhvarrosura në një kriptë familjare në Gelves, pranë Seviljes.
Sipas rezultateve, ekzistojnë prova gjenetike që lidhin pasardhës të Kolombit me Pedro Álvarez de Sotomayor, i njohur si Pedro Madruga, një figurë e fuqishme e shekullit XV në Galici. Studiuesit arritën në këtë përfundim pasi zbuluan lidhje gjenetike të pashpjegueshme mes dy individëve historikë, të cilat mund të shpjegohen vetëm përmes një paraardhësi të përbashkët.
Për të verifikuar hipotezën, ata përdorën një model kompjuterik gjenealogjik dhe teknikën e quajtur “Virtual Knock-out”. Kur emri i Pedro Madrugës u hoq nga pema familjare, lidhja gjenetike mes individëve u zhduk, duke e bërë atë kandidatin më të mundshëm si paraardhës.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto janë prova indirekte dhe nuk përbëjnë një përfundim përfundimtar, pasi nuk është analizuar ADN-ja e vetë Kolombit. Ata bëjnë thirrje për verifikime të pavarura dhe publikim të plotë të të dhënave.
Ndërkohë, teoria tradicionale që Kolombi lindi në Gjenova mbetet ende qëndrimi dominues në historiografi, e mbështetur edhe nga deklaratat e vetë eksploruesit në testamentin e tij.
Debati mbi origjinën e Kolombit vazhdon, por ky studim shënon një hap të rëndësishëm drejt përdorimit të teknologjive moderne gjenetike për të zgjidhur mistere të vjetra historike./ kb
