Dy studime të reja amerikane sugjerojnë se telefonat inteligjentë mund të jenë një nga faktorët kryesorë që po kontribuojnë në rënien e lindshmërisë në shumë vende të botës. Studiuesit po shqyrtojnë nëse përhapja masive e smartfonëve që nga dalja e iPhone-it të parë në vitin 2007 ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë, krijojnë marrëdhënie dhe formojnë familje.
Një studim i publikuar nga Byroja Kombëtare e Kërkimeve Ekonimike analizoi arsyet pse norma e fertilitetit në Shtetet e Bashkuaratë Amerikës ka rënë me rreth 22 për qind që nga viti 2007. Studiuesit vunë re se, ndonëse kriza financiare e vitit 2008 u konsiderua fillimisht shkaku kryesor, lindjet nuk u rikuperuan as pas përmirësimit të ekonomisë.
Ekonomistja Caitlin Myers dhe studenti i saj Ezekiel Hooper krahasuan zonat amerikane me mbulim të gjerë të rrjetit AT&T, ku iPhone u përhap më shpejt, me zonat ku ai ishte pak i pranishëm. Ata zbuluan se qasja më e hershme në iPhone lidhej me një ulje të lindjeve prej 4.5 deri në 8 për qind te adoleshentët 15-19 vjeç dhe 3.2 deri në 6.6 për qind te të rinjtë 20-24 vjeç.
Sipas studiuesve, telefonat inteligjentë nuk janë shkaku i vetëm i këtij fenomeni, por duket se kanë luajtur një rol të rëndësishëm. Ata argumentojnë se përdorimi i smartfonëve është shoqëruar me më pak takime ballë për ballë mes miqsh dhe partnerësh, ndërsa konsumi i përmbajtjeve online, përfshirë pornografinë, është rritur ndjeshëm.
Një studim tjetër, i kryer nga ekonomistët Nathan Hudson dhe Hernan Moscoso Boedo, analizoi të dhëna nga 128 vende të botës. Ata konstatuan se rënia e lindshmërisë është përshpejtuar pas përhapjes së smartfonëve, pavarësisht dallimeve në sistemet shëndetësore, ekonomike apo kulturore të vendeve të ndryshme.
Megjithatë, jo të gjithë akademikët janë të bindur nga këto përfundime. Disa theksojnë se lindjet mes adoleshentëve në SHBA kishin filluar të binin që në vitet 1990, shumë kohë përpara epokës së smartfonëve.
Pavarësisht debatit, çështja e rënies së lindshmërisë mbetet një sfidë globale, me vende si China, Japan dhe South Korea që po përballen me plakjen e popullsisë dhe mungesën e fuqisë punëtore, ndërsa qeveritë kërkojnë mënyra të reja për të nxitur lindjet./mxh
