Një studim i ri ka zbuluar se oksitocina, e njohur ndryshe si “hormoni i dashurisë”, mund të ketë një rol në rigjenerimin e indeve të dëmtuara të zemrës.
Studiuesit zbuluan se oksitocina mund të stimulojë qeliza në shtresën e jashtme të zemrës, të cilat më pas shndërrohen në qeliza me karakteristika të qelizave burimore. Këto qeliza mund të lëvizin drejt muskulit të zemrës dhe të zhvillohen në qeliza që ndihmojnë në kontraktimet e saj.
Gjetjet u vëzhguan te peshqit zebra dhe në kultura qelizore njerëzore, duke sugjeruar se oksitocina mund të ketë një rol në proceset natyrore të riparimit të zemrës.
Zbulimi është veçanërisht interesant për trajtimin e pasojave të infarktit. Kur ndodh një infarkt, një numër i madh qelizash të muskulit të zemrës dëmtohen ose vdesin dhe zakonisht zëvendësohen nga ind mbresor, i cili nuk funksionon si muskuli i shëndetshëm.
Studiuesit shpresojnë që në të ardhmen të mund të përdorin këtë mekanizëm për të nxitur aftësinë natyrore të trupit për të riparuar zemrën.
Megjithatë, bëhet fjalë ende për gjetje laboratorike dhe jo për një trajtim të provuar te pacientët. Nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar nëse ky mekanizëm mund të përdoret në mënyrë të sigurt dhe efektive te njerëzit./ad
