A keni vënë re se kohët e fundit postimet në rrjetet sociale, e-mail-et zyrtare dhe madje edhe bisedat e përditshme po ngjajnë gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën? Fjalitë po shkurtohen, stili po bëhet robotik dhe mendimi po uniformizohet. Sipas ekspertëve, ky nuk është rastësi: Inteligjenca Artificiale (IA) po na rrafshon kulturën dhe po na “fik” trurin.
Statistika që frikëson: IA ka kaluar njeriun Një grafik i publikuar së fundmi tregon një trend alarmues: në nëntor 2024, për herë të parë në histori, tekstet e shkruara nga Inteligjenca Artificiale në internet tejkaluan ato të shkruara nga njerëzit. Ne po jetojmë në një epokë ku makineria po dikton mënyrën se si komunikojmë.
Studimi i MIT: Truri “fiket” kur përdorim ChatGPT Një studim i fundit nga Instituti prestigjioz i Teknologjisë në Masaçuset (MIT) ka treguar pasoja konkrete në shëndetin tonë mendor. Shkencëtarët vëzhguan tre grupe fëmijësh: ata që shkruanin me mendjen e tyre, ata që përdornin Google dhe ata që përdornin ChatGPT.
Rezultati? Përdoruesit e IA-së kishin aktivitet truri shumë më të ulët, veçanërisht në zonat që lidhen me kreativitetin dhe kujtesën. Më e rënda: vetëm 20% e atyre që përdorën ChatGPT ishin të aftë të shpjegonin konceptet që “kisha shkruar” vetë mjeti. Pra, ne po prodhojmë përmbajtje që as nuk e kuptojmë.
Rreziku i “Rrafshimit Kulturor” Modelet si ChatGPT apo Claude janë trajnuar kryesisht mbi vlerat dhe gjuhën e shoqërive perëndimore e të pasura. Kjo po çon në një “çnjerëzim” të shkrimit. Duke kërkuar përkryerjen dhe fluiditetin e robotit, ne po humbasim:
-
Intuitën: Aftësinë për të bërë lidhje të papritura.
-
Stilin personal: Atë që na bën unikë si individë.
-
Mendimin kritik: Aftësinë për të dalë “jashtë kutisë”.
Mirupafshim, origjinalitet! Ekspertët paralajmërojnë se nëse vazhdojmë ta përdorim IA-në si një “tru shtesë” dhe jo si një mjet ndihmës, rrezikojmë të kthehemi në thjesht riprodhues të nocioneve. Truri ynë, ashtu si një muskul, nëse nuk stërvitet për të menduar e krijuar, fillon e dobësohet.
Si të shpëtojmë? Zgjidhja nuk është braktisja e teknologjisë, por përdorimi i saj me vetëdije. IA duhet të jetë një asistent që na ndihmon të strukturojmë idetë, jo një zëvendësues që mendon në vendin tonë.
Pyetja mbetet për të gjithë ne: A jemi ne që po kontrollojmë teknologjinë, apo stili i saj “perfekt” po na vret ngadalë shpirtin krijues njerëzor?.et
