Gati katër nga çdo dhjetë raste të reja të kancerit në botë mund të parandalohen duke shmangur faktorë të njohur rreziku, si pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit, ndotja e ajrit dhe disa infeksione, bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Hulumtimi analizoi 30 faktorë rreziku që rrisin mundësinë e zhvillimit të kancerit. Duhani rezultoi shkaktari kryesor, përgjegjës për 15% të të gjitha rasteve të reja, i ndjekur nga infeksionet që shkaktojnë kancer me 10% dhe konsumimi i alkoolit me rreth 3%.
Faktorë të tjerë të rëndësishëm përfshijnë mbipeshën, mungesën e aktivitetit fizik, ekspozimin ndaj rrezatimit ultravjollcë (UV) dhe kontaktin me substanca të rrezikshme në vendin e punës, si azbesti.
“Kjo është analiza e parë globale që tregon qartë se sa rrezik për kancer vjen nga shkaqe që ne mund t’i parandalojmë,” tha Andre Ilbawi, autor kryesor i studimit dhe drejtues i ekipit të OBSH-së për kontrollin e kancerit.
Sipas të dhënave, pothuajse gjysma e rasteve të parandalueshme lidhen me kancerin e mushkërive, stomakut dhe qafës së mitrës. Kanceri i mushkërive lidhet kryesisht me pirjen e duhanit dhe ndotjen e ajrit, ndërsa ai i stomakut me bakterin Helicobacter pylori. Kanceri i qafës së mitrës shkaktohet kryesisht nga virusi HPV, kundër të cilit ekzistojnë vaksina efektive.
Studimi tregon gjithashtu se burrat preken më shpesh nga kanceri i parandalueshëm: 45% e rasteve të reja te burrat, krahasuar me 30% te gratë. Rreth një e katërta e rasteve të parandalueshme të kancerit te burrat lidhen me pirjen e duhanit, kundrejt 11% te gratë.
Studiuesit u bëjnë thirrje qeverive të forcojnë politikat e kontrollit të duhanit dhe alkoolit, të rrisin vaksinimin kundër infeksioneve si HPV, të përmirësojnë cilësinë e ajrit dhe sigurinë në vendet e punës, si dhe të promovojnë dieta të shëndetshme dhe aktivitet fizik.
“Nëse duam të ulim barrën e kancerit, duhet të ulim edhe barrën e sëmundjeve jo-ngjitëse. Duhani, alkooli, ushqimet ultra të përpunuara dhe cilësia e ajrit janë nxitësit kryesorë të shumë llojeve të kancerit,” tha Katie Dain, drejtoreshë ekzekutive e Aleancës NCD./ CNA/kb
