Të paktën 36 persona janë vrarë dhe mbi 150 të tjerë janë plagosur nga një sulm me dron në një treg të mbushur me njerëz në qytetin Nyala, në rajonin e Darfurit Jugor, në Sudan. Lajmi u bë i ditur nga organizata humanitare Mjekët pa Kufij (MSF).
Sipas MSF-së, sulmi ndodhi mbrëmjen e kaluar dhe shkaktoi shkatërrime të mëdha. Një tjetër sulm me dron goditi gjithashtu një zonë banimi.
Në spitalin e Nyala-s, të mbështetur nga organizata, janë trajtuar më shumë se 150 të plagosur, mes tyre edhe fëmijë me djegie të rënda dhe plagë të shkaktuara nga copëzat e shpërthimit.
Ndërkohë, një zëdhënës i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), grupi paramilitar që lufton kundër ushtrisë sudaneze, deklaroi se numri i viktimave civile ka arritur në 188, ndërsa 356 persona janë plagosur. Ushtria sudaneze nuk ka komentuar deri më tani sulmin.
Sulmet me dronë ndaj tregjeve në Sudan janë përsëritur edhe më parë. Më 16 tetor, një sulm i ngjashëm në një tjetër treg në Nyala vrau të paktën katër persona, ndërsa një sulm në një treg në rajonin e Abyeit la të paktën 80 të vrarë./ad
