Nga Hermes Kafexhiu
Më e bukura e kësaj historie është se mes shoqërisë sonë ka njerëz që thonë, për mendimin tim paturpësisht, “bravo, gjeti një mënyrë për të bërë më shumë lekë”, ndërkohë që gjithë ditën konstatojnë mënyrën si bëhen lekët, ose “bravo, ja promovohet, del aty pavarësisht se çfarë thotë apo për çfarë shfaqet”, ose “bravo që punon vetëm për imazhin, se kjo i manipulon njerëzit sot”, ose ajo që është më e forta, “të kapim momentin e zhurmës për të shitur sikur dhe ne jemi pjesë e trendit të saj”.
Kjo është një tezë e vjetër filozofike që nis me Platonin te “Shpella dhe Iluzioni”, më pas me Makiavelin te “Manipulimi dhe pushteti” e deri te Niçe, “Me të vërtetën e pakëndshme”.
Nuk është ndonjë erë e re populizmi, por populizmi ka hyrë qartë në Shqipëri. Ka hyrë nga politika, nga pragmatizmi i saj, që nga mënyra se si u ndërtua politikisht drejtësia dhe më pas në jetën politike të vendit. Po jo vetëm kaq, populizmi zbriti dhe në fusha të tjera, edhe te letërsia. Nisi që në momentin kur Panairi i Librit fitoi flamurin e famës çdo nëntor, edhe po ta vini re, tani shkrimtarët po bëjnë libër çdo vit. Një ligj që letërsia vetë dhe shpirti i saj së brendshmi nuk e ka kuptuar ende se si mund të tentohet të thyhet një paradigmë e tillë, që ka qenë dhe me kohën do të mbetet universale. Virusi i populizmit është si ajo shprehja arkaike që prej kohësh shoqëron edhe përditshmërinë tonë: “secili tenton të kapë ‘prajmin’”, pra, e gjitha nuk është një mënyrë për të treguar diçka të re, diçka ndryshe, por vetëm një dëshirë e madhe për t’u përshtatur sa më shumë. Një formë bëhet një kurë kontroverse, gjoja sikur bën një thyerje, por përmbajtja është po ajo: “të botojmë një libër ‘limonadë’, që më shumë shet zhurmë se mësim”, “ta nisim thirrjen e botimit një muaj para panairit”, që ja, të plasë debati. “T’i vëmë një titull që të ngacmohen pak, të nxisim ca analistë dhe media që të përhapin komente dhe klikime”. Edhe kështu, siç është vetë populizmi, letërsia krejt papritur e gjen veten të veshur si skenari i një emisioni “reality show” si Për’puthen apo dhe ndonjë tjetër.
E bëra këtë parantezë, i nisur nga një ngacmim, për të dhënë këtë opinion. Opinioni im nuk ka asnjë qasje personale ndaj shkrimtarit që do t’i referohem. Unë kam respekt për librat e tij dhe nuk mendoj se ai identifikohet me populizmin në shkrime. Po unë mendoj që ai ra me dëshirë në kurthin populist të letërsisë dhe është i pamëshirshëm për të qenë pranë çdo shfrytëzimi momenti që e mban atë në momentin që plas zhurma.
Një muaj përpara se të nisë panairi, prej tre vitesh shkrimtari, gazetari dhe publicisti Ben Blushi nxjerr një libër. Jo se më parë librat e tij nuk kanë hapur debat, por sot ata nisin me nxitje debatin. Hapim ca shashka vërdallë një muaj përpara panairit, që lexuesit të dynden aty dhe merren me algoritmin që rrëfen libri i tij. Kjo niset dhe nga fakti se ai e përgatit këtë terren nga titulli “Parajsa artificiale”, “Jam mysliman” dhe deri te libri i këtij viti “Historitë e çmendura të Tiranës”.
Që pa e lexuar, mendoj që do të ketë të bëjë me episode urbane, që ndezin një lloj epshi dhe erosi diskutimi te njerëzit që vdesin për thashetheme të çmendura aventuriere. Me siguri aty do të ketë figura të njohura që më pas do të hidhen nëpër studio për këto histori që Blushi ka treguar.
A është kjo një zotësi?
Pa dyshim që është një zotësi, zotësi është dhe të marrësh pjesë në një krim.
Pyetja që lind është, a ka vlerë për shoqërinë njerëzore kjo mënyrë?
Unë mendoj që jo.
E para, sepse një shkrimtar i mirë nuk mund të bjerë në kurthin e asaj shprehjes “t’u japim njerëzve atë që duan”, apo “populli do vetëm cirk”, edhe e dyta, shoqëria ka nevojë të gdhendet, jo të mbingarkohet me konsumizëm, që pastaj reflekton në një betejë fasadash dhe gënjeshtrash.
Rrëfimi i një shkrimtari sot do të vlente të tregonte gjithë katrahurën e ndërtuar në këto vite mbi shoqërinë tonë, nga mënyra se si politika ripërtëriti kapitalin e pas kapitali e kafshoi, ku e hëngri si llokume politikën.
Ndoshta Kadare, për këtë fakt historik, ka një distancë të madhe, edhe Kongoli deri diku, sepse patën guximin të rrëfenin sistemin, thjesht ta rrëfenin, jo të jepnin mesazhe. Të tregonin të vërtetën.
Po mesa duket, përveçse të vërtetën populistave nuk u pëlqen ta tregojnë, ata janë dhe pengje të saj, sepse, si te “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, edhe ata kanë kontribuar fuqimisht që shpikin ëndrra të rreme.
