Sulmet me dronë ukrainas kanë goditur disa qendra logjistike të Ozon, shitësit të dytë më të madh online në Rusi, duke shkaktuar zjarre, dëme materiale dhe plagosjen e disa personave.
Sipas kompanisë, objektet e saj logjistike në rajonet e Krasnodarit, Dagestanit, Stavropolit dhe Adigjesë janë përfshirë nga zjarret pas sulmeve gjatë natës.
Një prej goditjeve ka shkaktuar një zjarr në qendrën logjistike të Ozon në Makhachkala, në Dagestan. Kompania bëri të ditur se sulmi ndodhi rreth orës 05:00 sipas kohës lokale.
Punonjësit e Ozon në disa qendra, përfshirë ato në Adygeysk dhe Nevinnomyssk, janë evakuuar. Ndërkohë, një ditë më parë ishte goditur edhe një strukturë e kompanisë në rajonin e Samarës, ku disa punonjës mbetën të plagosur.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi gjithashtu se një sulm me dron në Krasnodar shkaktoi vdekjen e tre fëmijëve, 13, 15 dhe 16 vjeç, ndërsa gjashtë fëmijë të tjerë u dërguan në spital, shkruan A2CNN.
Sulmet kanë ndikuar edhe në tregjet financiare. Aksionet e Ozon ranë me deri në 12% në Bursën e Moskës, ndërsa aksionet e AFK Sistema, aksionari kryesor i kompanisë, pësuan një rënie prej gati 13%.
Ukraina i ka cilësuar qendrat logjistike të kompanive ruse si objektiva të rëndësishëm për shkak të pretendimeve se ato mund të përdoren për furnizime me përdorim të dyfishtë. Moska i mohon këto pretendime.
Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se Rusia do të kundërpërgjigjet ndaj sulmeve ukrainase, duke deklaruar se Kievi ka hapur “kutinë e Pandorës” duke goditur objektiva ekonomike.
Ozon, e themeluar në vitin 1998, është një prej platformave më të mëdha të tregtisë online në Rusi dhe renditet pas Wildberries për nga madhësia. Të dyja platformat përdoren gjerësisht nga konsumatorët rusë dhe kanë një rrjet të gjerë magazinash dhe pikash shpërndarjeje në të gjithë vendin./ad
