Last Updated on 21/05/2026 by Anisa
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka përshëndetur propozimin e kancelarit gjerman Friedrich Merz për anëtarësimin gradual të vendeve kandidate në Bashkimin Evropian.
Ajo u shpreh se ky propozim është i ndryshëm nga ideja e integrimit të pjesshëm, të cilën e lidhi me nismën Rama-Vuçiç, ndërsa theksoi se objektivi i Shqipërisë duhet të mbetet integrimi i plotë në BE.
Tabaku kërkoi që qeveria shqiptare të reflektojë dhe të shfrytëzojë momentin aktual për të çuar përpara reformat dhe procesin e integrimit, duke shmangur përsëritjen e problemeve që, sipas saj, kanë sjellë vonesa ndër vite.
“Përshëndes propozimin për integrimin gradual. Kancelari Merz ka qenë i pari që ka filluar të elaborojë këto ide dhe janë shumë ndryshe nga integrimi i pjesshëm. Shqipëria s’ka asnjë ide tjetër përveç integrimit të plotë. Qëndrimi i Gjermanisë e reflekton këtë. Shpresoj që qeveria shqiptare të jetë në kohë për të reflektuar, për ta përdorur këtë moment të artë për të pasur vullnet politik për të ecur përpara sepse 5 muajt e fundit kanë qenë të njëjtat arsye që e vonuar për 10 vite dhe e shtynë për 5 të tjerë. Ky propozim që ka ardhur sot nga Gjermania për vendet e tjera anëtare të shihet si mundësi për të bërë reforma, për ta bërë këtë proces proritet kombëtar dhe mos të ndiqet e njëjta rrugë që është ndjekur në 10 vite me radhë dhe 5 muaj e fundit në të cilët ky proces ka mbetur i bllokuar”, përfundoi Tabaku.
