Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov njoftoi sot se do të takohet nesër me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio në Filipine, për diskutime të fokusuara në konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
“Ky takim do të jetë i dobishëm në çdo rast. Është më mirë të bësh pyetje dhe të marrësh përgjigje”, tha ai, duke konfirmuar se takimi do të zhvillohet nesër në mëngjes, në kuadër të një takimi të përfaqësuesve diplomatikë nga Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).
Ndërkohë, Irani aktivizoi sistemet e mbrojtjes ajrore mbi kryeqytetin Teheran për herë të parë që nga përshkallëzimi i fundit i luftës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa në verilindje të qytetit u dëgjuan shpërthime, raportoi sot herët një gazetar.
Mediat shtetërore iraniane njoftuan gjithashtu për zjarr të mbrojtjes ajrore në disa zona të kryeqytetit, ku jetojnë rreth 15 milionë banorë.
Pak më vonë, ushtria amerikane deklaroi se kishte përfunduar një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake në Iran, duke shënuar natën e 11-të radhazi të operacioneve ajrore.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), objektivat përfshinin qendra operacionesh ushtarake, kapacitete detare, hangarë avionësh, depo dronësh dhe infrastrukturë logjistike ushtarake, me synimin për të dobësuar më tej aftësinë e Iranit për të kërcënuar anijet tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit./mxh