Last Updated on 03/02/2026 by EL
Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji, zhvilloi mbrëmjen e kësaj të marte një takim me demokratët në qytetin e Fierit, teksa mbushi plot me simpatizantë të Partisë Demokratike sallën ku mbajti mbledhjen.
Gjatë fjalës së tij, Salianji hodhi akuza ndaj lidershipit të Partisë Demokratike, se po bën lojën e Ramës dhe kjo sipas tij po e dëmton rëndë PD.
“Ne duam që të bëjmë një parti Demokrtatike siç e duan demokratët dhe jo siç e do Edi Rama, se atij intereson që PD të rrijë në vend kështu si është sot, se ne demokratët as nuk i kemi, por as nuk i përdorim dot si përdor Rilindja. Ne nuk kemi pushtetin e saj absolut. Nuk kemi as bandat, por ne kemi në dorë që partinë tonë ta bëjmë ashtu siç duan demokratët, ashtu siç po e kërkojnë demokratët në çdo cep të Shqipërisë, sepse po e theksoi që Partia Demokratike po qëndron ashtu siç e do Edi Rama.”, deklaroi Salianji.
Më tej, ish-deputeti tha se demokratët e kanë në dorë që ta bëjnë partinë e tyre fituese. Ndërsa po ashtu hodhi akuza ndaj lidershipit të PD se po e çojnë në fatalitet partinë.
“E mbyllur në fatalitetin e shpallur nga lidershipi, se zgjedhjet nuk fitohen. E papërtërirë dhe e ngrirë, në mungesën reale të analizës dhe reflektimit. Kjo ka sjellë dhe sjellë atrofizim të Partisë. Por ne e kemi në dorë që ta bëjmë Partinë Demokratike ashtu si e duan demokratët, të gjallë, me analizë, me meritë dhe komunikim të vazhdueshëm më qytetarët, të drejtë dhe në parti që iu jep shansin atyre që punojnë dhe jo atyre që vegjetojnë. Pra ne duhet ta bëjmë siç duhet PD, jo ashtu si do Edi Rama”, tha Salianji.
Po ashtu ish-ligjvënësi demokrat ka sulmuar kupolën drejtuese të PD-së, për të cilët tha se e duan këtë parti ‘për ta mjelur si lopë’ për interesat e tyre.
“Sepse ndryshimi miq, keni të drejtë që kanë frikë, por ndryshimi nuk ndërtohet me frikë, por duke pasur guxim, duke pasur garë dhe duke bashkuar edhe brezin e ri dhe duke e bërë. Ndryshimi miq është thelbësor për të qenë fitues. Është i pashmangshëm dhe nuk e ndal dot askush. Ndryshimi është përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi ne nuk e shmangim as përpara Edi Ramës, as përpara atyre që e duan PD-në ta mjelin si lopë për interesat e tyre. Ne duam një PD që të mos jetë qaramane”, tha mës të tjerash Salianji./et
