Lideri i Bangladesh Nationalist Party, Tarique Rahman, u betua si kryeministër i Bangladesh, duke shënuar një kthesë të rëndësishme politike pas një periudhe trazirash në vend.
Rahman, 60 vjeç, djali i ish-kryeministres Khaleda Zia dhe presidentit të vrarë Ziaur Rahman, merr detyrën pas fitores dërrmuese të partisë së tij në zgjedhjet parlamentare.
Ai përballet me sfida urgjente, përfshirë rikthimin e stabilitetit politik, rindërtimin e besimit të investitorëve dhe ringjalljen e sektorëve kyç të ekonomisë, si industria e tekstileve, pas trazirave që pasuan kryengritjen e udhëhequr nga të rinjtë e Gjeneratës Z, e cila rrëzoi qeverinë e Sheikh Hasina në vitin 2024.
Gjatë periudhës tranzitore, vendi u drejtua nga një administratë e përkohshme e udhëhequr nga fituesi i Çmimit Nobel, Muhammad Yunus, deri në mbajtjen e zgjedhjeve.
Ndryshe nga tradita, ceremonia e betimit u zhvillua në ambient të hapur, në Sheshin Jugor të parlamentit kombëtar, dhe jo në rezidencën zyrtare presidenciale Bangabhaban. Presidenti Mohammed Shahabuddin drejtoi ceremoninë, ku Rahman dhe kabineti i tij prej 49 ministrash bënë betimin në prani të figurave të larta politike, diplomatëve dhe përfaqësuesve nga vende si Kina, India dhe Pakistani.
Qeveria e re përfshin ministra me përvojë dhe figura të reja, në një përpjekje për të balancuar eksperiencën politike me ekspertizën teknike, ndërsa fokusi kryesor mbetet rimëkëmbja ekonomike, rendi dhe reformat në qeverisje.
BNP siguroi një shumicë prej dy të tretash në parlament, duke u rikthyer në pushtet pas afro dy dekadash. Ndërkohë, partia islamiste Jamaat-e-Islami, që mori pjesë në zgjedhje për herë të parë që nga heqja e ndalimit në vitin 2013 pas largimit të Hasinës nga pushteti, fitoi një rekord prej 68 mandatesh.
Në vitin 2024, një kryengritje e udhëhequr nga studentët i dha fund qeverisjes 15-vjeçare të pandërprerë të Sheikh Hasinës, e cila u largua drejt Indisë, ku vijon të qëndrojë në mërgim./mxh
