Dy nga emrat më të mëdhenj të industrisë muzikore, Taylor Swift dhe Beyoncé, kanë marrë një vlerësim të veçantë nga Biblioteka e Kongresit në SHBA. Projekti i Taylor Swift “1989” dhe kënga ikonike e Beyoncé “Single Ladies (Put a Ring on It)” janë futur zyrtarisht në Regjistrin Kombëtar të Regjistrimeve për vitin 2026.
Çdo vit, ky institucion përzgjedh materiale audio që konsiderohen me ndikim të jashtëzakonshëm në kulturën dhe historinë amerikane, ndërsa përfshirja e dy artisteve shënon një moment të rëndësishëm në karrierën e tyre. Kjo është hera e parë që krijimet e Swift dhe Beyoncé bëhen pjesë e këtij arkivi prestigjioz.
Në listën e këtij viti janë përfshirë edhe projekte të tjera të njohura muzikore, mes tyre “Feliz Navidad” nga José Feliciano, “I Feel for You” nga Chaka Khan dhe albumi legjendar “The Blue Album” i Weezer. Përveç muzikës, arkivi ruan edhe momente historike të regjistruara në audio, si transmetimi i ndeshjes së famshme të boksit mes Muhammad Ali dhe Joe Frazier në vitin 1971.
Ky edicion solli edhe një rast unik: Rosanne Cash dhe babai i saj Johnny Cash janë bërë pjesë e të njëjtit regjistër, megjithëse në periudha të ndryshme.
Artistët kanë reaguar me emocion pas lajmit. Vince Gill tha se kënga e tij e përfshirë në listë ka një domethënie shumë personale, ndërsa Chaka Khan e cilësoi suksesin si një nderim për të gjithë bashkëpunëtorët që kontribuuan në krijimin e hitit të saj.
Me përzgjedhjet e reja, Regjistri Kombëtar i Regjistrimeve ka arritur në 700 materiale audio të ruajtura si pjesë e trashëgimisë kulturore amerikane./mxh
