Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dyshohet se kanë zhvilluar një bisedë telefonike të tensionuar, pas zgjerimit të operacioneve ushtarake izraelite në Liban.
Sipas gazetarit izraelit Barak Ravid, që punon për median amerikane Axios, tensionet u rritën pasi Irani njoftoi pezullimin e negociatave me Shtetet e Bashkuara, duke fajësuar situatën në Liban dhe veprimet e Izraelit.
Në këtë kontekst, Trump thuhet se ka kritikuar ashpër Netanyahun, duke e akuzuar se po dëmton proceset diplomatike dhe po e çon Izraelin drejt izolimit ndërkombëtar.
“Ti je krejtësisht jashtë kontrollit. Po të mos isha unë, do të ishe në burg. Po të shpëtoj lëkurën. Tani të gjithë të urrejnë. Të gjithë e urrejnë Izraelin për shkak të kësaj historie,” raportohet të ketë thënë Trump gjatë telefonatës.
Sipas të njëjtave burime, Trump ka shprehur zemërim të fortë dhe në një moment i është drejtuar Netanyahut me tone të ashpra, duke e pyetur: “Çfarë dreqin je duke bërë?”, duke iu referuar ofensivës izraelite në Liban dhe pasojave të saj në negociatat SHBA–Iran.
Burimet e cituara nga Axios thonë se presidenti amerikan e konsideroi reagimin ushtarak të Izraelit si joproporcional, veçanërisht për shkak të viktimave civile dhe shkatërrimeve në terren.
Megjithatë, sipas raportimeve, në publik Trump e ka paraqitur bisedën si “shumë produktive”, duke deklaruar se nuk priten operacione tokësore në Bejrut dhe se Hezbollahu ka pranuar të ulë intensitetin e sulmeve.
Ai shtoi gjithashtu se negociatat me Iranin po vijojnë me ritëm të shpejtë.
Nga ana tjetër, zyra e Netanyahut nuk ka konfirmuar ndryshim qëndrimi, ndërsa kryeministri izraelit vijon të mbajë linjën e tij për operacionet ndaj Hezbollahut. Sipas Axios, gjatë gjithë bisedës, ai ka qenë nën presion të konsiderueshëm nga presidenti amerikan.
