Një debat i ashpër mes gazetarit Alban Dudushi dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka vijuar në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, ku në qendër të përplasjes ishte qëndrimi i Shehajt ndaj protestave, akuzat për militantizëm dhe pretendimet për përfitime nga pushteti.
Dudushi e cilësoi qëndrimin e Shehajt si kontradiktor, duke argumentuar se ai do të sillej ndryshe nëse do të ishte në Itali, ndërsa në Shqipëri mbështet protestuesit dhe përballet me policinë.
“Çfarë më pengon mua te Agroni dhe kur e shoh në aktivitetin e tij në këtë revolucion? Mua më pengon se Agroni, po të ishte në Itali, po të ishte në Milano, këta të pakënaqurit do t’i kishte përballë. Këtu në Shqipëri del në krah të protestës, u bërtet policëve: ‘Ku mbaron protesta?’. Mua më duket njëlloj bipolarizmi politik. Nga njëra anë, në Itali sillet si italian dok, në Shqipëri sillet si emigrant i brezit të dytë”, u shpreh Dudushi.
Nga ana e tij, Shehaj kundërshtoi personalizimin e debatit, por paralajmëroi se ishte i gatshëm të përballej edhe në planin personal nëse gazetari do ta çonte diskutimin në atë drejtim.
Dudushi vijoi kritikën, duke pretenduar se në Itali Shehaj nuk do të kishte të njëjtën hapësirë për të vepruar si në Shqipëri. Ai e cilësoi këtë një problem politik dhe vuri në pikëpyetje besueshmërinë e kreut të Partisë Mundësia si politikan.
“Ky është problem politik. Mua ma bën të pabesueshëm Agronin si politikan”, tha gazetari, duke iu referuar edhe qëndrimit të Shehajt ndaj protestave dhe përplasjeve me policinë.
Në vijim, Dudushi solli në vëmendje një letër të Pier Paolo Pasolinit për studentët, duke përmendur qëndrimin e tij në mbështetje të policëve në kontekstin e përplasjeve studentore. Ai kritikoi gjithashtu Shehajn për mungesën e një qëndrimi, sipas tij, të qartë ndaj bizneseve, pavarësisht se vjen nga bota e biznesit dhe është futur në politikë si përfaqësues i së djathtës.
Gazetari ngriti edhe pikëpyetje mbi ambiciet politike të atyre që afrohen me protestën, duke argumentuar se energjia e saj mund të përdoret për interesa personale.
“Kjo protestë do të bëjë një ndryshim epokal në Shqipëri, por unë nuk e di ku do të jetë Agroni. Ndryshimi do të ndodhë kur kjo protestë të ketë pjekurinë që këta ose t’i detyrojë të rrinë mënjanë, ose t’i shkrijë brenda vetes, që të mos kenë ambiciet e tyre kryeministrore”, deklaroi Dudushi.
Shkëmbejnë akuza për militantizëm dhe përfitime nga pushteti
Shehaj reagoi duke akuzuar Dudushin se paraqitet si analist, ndërsa, sipas tij, mban qëndrime politike në favor të mazhorancës.
“Është e padrejtë që vini këtu gjoja me kapelen e analistit, ndërkohë që jeni militantë të thekur të mazhorancës”, u shpreh kreu i Partisë Mundësia.
Përplasja u ashpërsua kur Shehaj hodhi akuza për përfitime familjare nga pushteti, ndërsa Dudushi i kërkoi të paraqiste prova për pretendimet e tij.
“Më thuaj mua çfarë përfitimesh pasurore kam unë nga pushteti. Kjo është të merresh personalisht. M’i thuaj mua tani, sepse unë të denoncoj në gjykatë për shpifje dhe ti paguan 20 vite kreditë e mia. Militantizmin mos ma trego mua”, iu përgjigj gazetari.
Kur Shehaj reagoi me fjalët “O, më trembe!”, Dudushi këmbënguli se nuk bëhej fjalë për kërcënim, por për kërkesën që akuzat të mbështeteshin në fakte.
“Kjo nuk është kërcënim. Thuaju atyre që ke në katin e tretë të mos më shkruajnë më mua. Nëse e do personalisht, hajde. Unë nuk flas duke e pasur skeletin në dollap”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Shehaj vijoi me akuzat ndaj personave që, sipas tij, kanë lidhje me kryeministrin Edi Rama, duke u shprehur: “Miqve të Ramës u ka ardhur fundi”.
Në fund të debatit, Dudushi i kërkoi Shehajt të specifikonte pretendimet për përfitime pasurore dhe kundërshtoi që diskutimi të përfshinte familjen e tij.
“Me mua personalisht dhe me familjen time nuk ta lejoj ty të merresh. Ose trego përfitimet pasurore, ose mbyll gojën e mos fol, se nuk je politikan”, përfundoi gazetari./ad
