Last Updated on 18/09/2025 by adminfjala
Në një mbledhje që zgjati rreth 100 minuta në selinë e Partisë Socialiste ditën e djeshme, këshilltarët e majtë të Bashkisë së Tiranës, mes rezistencës dhe vlerësimeve për punën e mirë të bërë nga Erion Veliaj, ranë dakord për shkarkimin e kryebashkiakut që ndodhet pas hekurave prej muajit shkurt, kur u arrestua me urdhër të SPAK.
Këshilltarët socialistë të kryeqytetit vendosën që të martën e ardhshme, më 23 shtator, të hidhet për diskutim projektvendimi për shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj, me argumentin se nuk është paraqitur në zyrë për të ushtruar detyrën, në 3 muajt e fundit.
A2 CNN ka siguruar edhe vendimin e përgatitur më 17 shtator nga këshilltarët socialistë, ku thuhet: ““Në vijim të mbledhjes së grupit të këshilltarëve të Partisë Socialiste, datë 17 shtator 2025, ora 17:00, kërkesa nr.31879 prot., datë 18 shtator 2025, është depozituar pranë Sekretariatit të Këshillit Bashkiak Tiranë. Kërkesa e firmosur nga grupi i këshilltarëve, i referohet Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i ndryshuar, neni 62 gërma c, ku thuhet: ‘Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur: c) propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë’.” m.p.
