Last Updated on 23/07/2026 by Anisa
Tensionet e para janë regjistruar në protestën e kësaj të enjteje para Kuvendit, ku protestuesit janë përplasur me forcat e Policisë së Shtetit në përpjekje për të çarë kordonin e sigurisë dhe për të hequr gardhin metalik të vendosur rreth godinës së Parlamentit.
Situata është përshkallëzuar kur protestuesit kanë hedhur vezë dhe domate në drejtim të efektivëve të policisë. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se dy punonjës policie kanë mbetur të lënduar gjatë incidenteve dhe janë shoqëruar me ambulancë për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, pranë Kuvendit ka mbërritur edhe një automjet ujëhedhës, ndërsa forcat e rendit kanë shtuar masat e sigurisë për të mbajtur nën kontroll situatën.
Në minutat në vijim pritet mbërritja e deputetëve, të cilët do të marrin pjesë në seancën plenare të parashikuar të nisë në orën 10:00. Policia vijon të mbajë të rrethuar perimetrin e Kuvendit, ndërsa situata në terren mbetet dinamike./ad
