Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballë goditi mëngjesin e së hënës brigjet pranë ishullit Mindanao në Filipine, duke shkaktuar të paktën 32 viktima dhe më shumë se 100 të plagosur.
Lëkundja sizmike ndodhi pak para orës 07:40 me kohën lokale dhe u pasua nga një seri pasgoditjesh që zgjatën më shumë se një orë.
Një nga zonat më të prekura ishte qyteti General Santos, me rreth 722 mijë banorë, ku u raportuan dëme të mëdha në ndërtesa dhe infrastrukturë. Autoritetet sizmologjike filipinase njoftuan se qyteti përjetoi lëkundje me intensitet shumë të fortë. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan shembjen e një ndërtese trekatëshe ku ndodhej një restorant i zinxhirit Jollibeea, duke krijuar panik mes banorëve dhe kalimtarëve.
Dëme të konsiderueshme u raportuan edhe në institucione shëndetësore. Pjesë të spitalit St Elizabeth Hospital pësuan dëmtime serioze, duke detyruar evakuimin e pacientëve dhe personelit mjekësor. Shërbimet emergjente organizuan trajtimin e të lënduarve jashtë godinës kryesore deri në vlerësimin e sigurisë së strukturës.
Dëshmitarët përshkruan momente frike gjatë tërmetit. Banorët raportuan se automjetet në rrugë lëviznin në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa pemët dhe shtyllat elektrike lëkundeshin fort. Në disa institucione arsimore u regjistruan shembje të pjesshme të ndërtesave dhe dëmtime të konsiderueshme materiale.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., deklaroi se të gjitha agjencitë e emergjencës janë vënë në gatishmëri të plotë. Ai urdhëroi gjithashtu mbylljen e shkollave në zonat e prekura për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor. Sipas autoriteteve, rreth 3.2 milionë nxënës dhe mbi 128 mijë mësues e punonjës të arsimit janë prekur nga situata, në ditën që duhej të shënonte fillimin e vitit të ri shkollor.
Pas tërmetit, disa vende të Azisë, përfshirë Filipineve, Indonezisë dhe Japonisë lëshuan paralajmërime për cunami. Shumica e tyre u anuluan më vonë, por në brigjet jugore të Japonisë autoritetet vazhduan të këshillonin qytetarët të shmangnin zonat bregdetare dhe grykëderdhjet e lumenjve deri në njoftimin e radhës.
Ekipet e shpëtimit vazhdojnë operacionet në zonat më të goditura, ndërsa autoritetet po vlerësojnë shkallën e plotë të dëmeve dhe numrin e personave të prekur nga një prej tërmeteve më të forta që kanë goditur rajonin vitet e fundit./mxh
