Last Updated on 08/06/2026 by Leonard

Nga Leonard Veizi
Përse m’u kthye sot në kujtesë Dajan Fosi, shkencëtarja amerikane që kaloi gati dy dekada në malet e Virungas duke mbrojtur gorillat e malit nga gjuetarët e paligjshëm? Ndoshta sepse kauza e saj nuk ka qenë kurrë më aktuale se sot në Shqipëri, ku debatet mjedisore – me në qendër shqetësimet për Zvërnecin – përplasen me të njëjtën logjikë të vjetër të zhvillimit: atë mes mbijetesës ekonomike dhe ruajtjes së natyrës…
…Në dhjetor të vitit 1985, Dajan Fosi u gjet e vrarë në kabinën e saj në malet e Virungas të Ruandës. Edhe pse rrethanat e vrasjes mbeten ende të pazbardhura zyrtarisht, “autorët” moralë të konfliktit njiheshin qartë: ata që e shihnin natyrën thjesht si mall ekonomik.
Më pas, kjo histori u bë e njohur globalisht përmes filmit “Gorillat në mjegull”, – apo siç njihet në orgjinal “Gorillas in the Mist” – me regji të Majkëll Aptedit, sipas skenarit të Ana Hamilton Phelanit, ku rolin e shkencëtares e interpreton me mjeshtëri aktorja amerikane Sigurni Uiver.
Logjika e pushtetit
I mbështetur në ngjarje reale, filmi shpërfaq një përplasje të ashpër mes idealizmit të Dajan Fosit dhe realitetit cinik ekonomik e politik të Ruandës së asaj kohe.
Në diskursin e zyrtarëve shtetërorë – një diskurs që ngjan shqetësueshëm me shumë narrativa moderne të “zhvillimit” – gorillat shiheshin thjesht si burim ekonomik. Në këtë logjikë, një kafshë e shitur në kopshtet zoologjike të Perëndimit, ose e shfrytëzuar për tërheqjen e turistëve dhe valutës së huaj, përkthehej në të ardhura për shtetin dhe për popullsinë e varfër.
Për Dajan Fosin, ky ishte një justifikim i përshtatshëm për të legjitimuar zhdukjen e një specieje unike.
Këtu përfundon thjeshtësia e një rrëfimi ekologjik dhe nis konflikti i vërtetë editorial. Përplasja nuk është thjesht “gorillat kundër njeriut” apo “natyra kundër qytetërimit”. Konflikti thelbësor është:
Vlera e pakthyeshme e jetës së egër kundrejt nevojave të menjëhershme ekonomike;
Morali afatgjatë kundrejt mbijetesës së përditshme.
“Populli im është i uritur. Çfarë vlere kanë gorillat nëse njerëzit nuk ushqehen?” – ishte, në thelb, argumenti i palës shtetërore.
Përgjigjja e Fosit, e artikuluar jo vetëm me fjalë por me veprim dhe në fund me fatin e saj tragjik, ishte e prerë: nëse shkatërrohen gorillat për përfitimin e sotëm, nesër nuk mbetet as natyra, as pasuria që ajo gjeneron.
Dy të vërteta në konflikt apo një dështim strategjik i shtetit?
Filmi ngre një pyetje që mbetet thelbësore për çdo vend në zhvillim: a mund t’i kërkosh një komuniteti në varfëri të mbrojë natyrën, kur e nesërmja e tij është e pasigurt?
Në sipërfaqe, përplasja duket si konflikt mes dy të drejtash legjitime:
-E drejta për mbijetesë njerëzore;
-E drejta për ruajtjen e natyrës.
Por në një lexim më të thellë, problemi zhvendoset te mungesa e një modeli zhvillimi afatgjatë. Shpesh, nuk është natyra ajo që pengon zhvillimin, burimi që e ushqen po zhvillimi i pakontrolluar që shkatërron vetveten duke konsumuar burimin që e ushqen.
Nga Ruanda në Zvërnec
Kjo dilemë nuk është e largët. Ajo përsëritet në forma të tjera, më të heshtura, por po aq të pakthyeshme.
Kur ekskavatorët i afrohen zonave të mbrojtura në Shqipëri – si Zvërneci apo hapësira të tjera bregdetare – argumenti është shpesh i njëjtë: turizmi, investimet, punësimi, zhvillimi.
Ashtu si në Virunga, natyra reduktohet në kapital të shfrytëzueshëm. Dhe njësoj si atëherë, pyetja mbetet pa përgjigje: a po ndërtojmë ekonomi mbi natyrën, apo po e shesim natyrën për të ndërtuar ekonomi?
Epilog
Dajan Fosi besonte se ka gjëra që humbasin përgjithmonë nëse preken. Ndërsa aparati shtetëror i kohës së saj besonte se çdo gjë mund të justifikohej në emër të varfërisë dhe nevojës.
Midis këtyre dy qasjeve nuk qëndron vetëm një konflikt moral, por një provë civilizimi: aftësia e një shoqërie për të mos konsumuar të ardhmen e saj në emër të së tashmes.
Dhe sa herë që “zhvillimi” matet vetëm me beton, investime dhe ndërtime pa kufij, historia e Virungas pushon së qeni një histori e largët afrikane. Ajo bëhet një paralajmërim shumë më i afërt – dhe shumë më i pakëndshëm – sesa jemi gati ta pranojmë.
