Thomas Strakosha është shpallur portieri më i mirë i sezonit 2025/26 në kampionatin grek pas një votimi të zhvilluar nga Transfermarkt.
Gardiani i Kombëtares shqiptare siguroi 39.5% të votave, duke mposhtur konkurrencën e Konstantinos Tzolakis të Olympiacos-it, i cili u ndal në kuotën e 36.4%.
Ky çmim individual vjen pas një edicioni të suksesshëm ku Strakosha ishte protagonist në rrugëtimin e AEK-ut drejt titullit të 14-të kampion. Paraqitjet e skuadrës nga Athina sollën vlerësime edhe për trajnerin Marko Nikolic, i cili u përzgjodh nga mediat sportive greke si tekniku më i mirë i sezonit.
Pavarësisht këtij suksesi, portieri shqiptar po kalon aktualisht një periudhë rikuperimi për shkak të një dëmtimi në dorë të pësuar në sfidën ndaj Aris-it më 5 shtator. Sipas stafit teknik të AEK-ut, 31-vjeçari, i cili numëron gjashtë aktivizime në këtë fillim sezoni, pritet të kthehet në formë të plotë vetëm pas ndërprerjes së kampionatit.
Ky lëndim e mban Strakoshën jashtë fushave të blerta edhe për angazhimet ndërkombëtare të muajit nëntor. Mungesa e tij përbën një humbje për Kombëtaren shqiptare, ku ai mbetet një nga zgjedhjet kryesore për mbrojtjen e portës./k.m
