Një studim i ri ka zbuluar se shumica dërrmuese e videove në TikTok promovojnë përdorimin e kremit mbrojtës nga dielli, por përmbajtjet që e paraqesin atë si të dëmshëm arrijnë shumë më tepër ndërveprim nga përdoruesit. Sipas analizës, 86.6% e videove mbështesin përdorimin e kremit kundër diellit. Shumica e tyre fokusohen te aspektet estetike dhe promovimi i produkteve të caktuara, shpesh të shoqëruara me kode zbritjeje. Përfitimet më të përmendura janë mbrojtja nga dëmtimet e lëkurës (17.4%), aknet (15.3%), plakja e parakohshme (11.5%) dhe vetëm në fund parandalimi i kancerit të lëkurës (6.1%). Autorët e studimit theksojnë se është surprizuese që kaq shumë video promovojnë kremin mbrojtës pa përmendur rolin e tij të rëndësishëm në parandalimin e kancerit. Nga ana tjetër, një pjesë e vogël e videove, rreth 6% përhapin pretendime të pabazuara, duke pohuar se kremi mbrojtës ndikon në sistemin hormonal, përmban substanca kancerogjene ose madje ndot qumështin e gjirit. Megjithëse këto video përbëjnë vetëm një përqindje të vogël të përmbajtjes totale, ato marrin mesatarisht dy herë më shumë pëlqime, gati katër herë më shumë shpërndarje dhe tre herë më shumë komente sesa videot që promovojnë përdorimin e kremit mbrojtës. Sipas studiuesve, kjo ndodh sepse përmbajtjet që kundërshtojnë mendimin e përgjithshëm, teoritë e konspiracionit dhe lajmet e rreme priren të zgjojnë emocione më të forta dhe të nxisin më shumë reagime e shpërndarje, veçanërisht në komunitete që janë tashmë të prira ndaj këtyre temave. Përfundimisht TikTok nuk është i mbushur me dezinformim për kremin mbrojtës nga dielli, por videot që pretendojnë se ai është i dëmshëm ose i panevojshëm arrijnë nivele shumë të larta angazhimi krahasuar me përmbajtjet informative dhe promovuese./kb
Artikulli i MëparshëmPopulli është i pakënaqur dhe roli i tij në parti është dobësuar, kryeministri britanik pritet të japë dorëheqjen
Artikulli Tjetër Messi s’ka ndërmend të ndalet, rekordet që synon në Botëror
