Last Updated on 25/02/2026 by Monika
Pasditen e kësaj të mërkure është krijuar një situatë e rënduar trafiku në Doganën e Bllatës, në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Devijimi i qarkullimit ka ardhur si pasojë e shembjes së një segmenti rrugor në zonën e Librazhdit, çka ka detyruar autoritetet të orientojnë të gjithë trafikun drejt pikës kufitare të Bllatës.
Gjatë ditëve të fundit rreshti i kamionëve që hyjnë në Shqipëri nga Greqia, Bullgaria, Turqia dhe Maqedonia e Veriut ka arritur mbi 4 kilometra.
Fluksi i shtuar, i kombinuar me kapacitetet e kufizuara përpunuese të të dyja palëve në doganë dhe me infrastrukturën rrugore të ngushtë, ka sjellë vonesa të konsiderueshme.
Ndikim në rritjen e trafikut ka pasur edhe hapja e Rrugës së Arbrit, e cila ka shkurtuar distancën Shkup–Tiranë me rreth 85 kilometra krahasuar me itinerarin nga Qafë-Thana. Si rrjedhojë, një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të transportit ka zgjedhur këtë aks.
Kapacitetet aktuale të përpunimit të mjeteve dhe pasagjerëve, si dhe mungesa e hapësirave të mjaftueshme, po shkaktojnë radhë të gjata çdo ditë, duke krijuar vështirësi për drejtuesit e mjeteve dhe operatorët e transportit ndërkombëtar./mxh
