Një varkë që mbante të paktën 20 emigrantë është fundosur në brigjet juglindore të Kretës, duke bërë që të humbin jetën 18 prej tyre. Viktimat ka dyshime se kanë ndërruar jetë nga hipotermia. Dy persona kanë arritur të shpëtohen, por janë në gjendje kritike.
Mediat greke raportojnë se varka u gjet nga një anije tregtare turke që po kalonte aty pranë. Dyshohet se emigrantët që ishin në gomone vinin nga Afrika e Veriut.
Një operacion kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar, ndërsa bëhet me dije se janë angazhuar dy anije të Rojës Bregdetare greke, një anije e Frontex, një helikopter dhe një avion i Frontex. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë pasur dhe persona të tjerë përveç viktimave dhe të mbijetuarve.
