Last Updated on 22/05/2026 by EL
Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Cadimare-s në Itali, ku një i ri shqiptar humbi jetën pasi u sëmur teksa po notonte në ujërat e Gjirit të Poetëve. Viktima është identifikuar si Ambler Xhoecuka, i cili do të festonte 23-vjetorin pas vetëm pak javësh.
Sipas mediave italiane, i riu kishte vendosur të notonte për herë të parë në këtë sezon turistik. Ai la rrobat pranë bregut dhe u hodh në det, por vetëm pak minuta më vonë pësoi një kolaps brenda në ujë.
Ishte një grua që po kalonte pranë zonës ajo që vuri re trupin e pajetë duke lundruar rreth 50 metra larg bregut dhe ngriti menjëherë alarmin, me dy të rinj që u hodhën menjëherë në ujë pa hezituar dhe arritën ta nxirrnin shqiptarin në breg.
Mjekët dhe infermierët luftuan për gati një orë për ta rikthyer në jetë 22-vjeçarin shqiptar, por pavarësisht përpjekjeve intensive, zemra e Amblerit nuk rifilloi më të rrihte.
Autoritetet italiane bënë identifikimin e viktimës përmes dokumenteve personale dhe sendeve që ai kishte lënë në breg. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, dyshohet se i riu është ndjerë keq papritur për shkak të një mbingarkese fizike gjatë notit në ujërat ende të ftohta të gjirit italian./et
