Një tjetër tragjedi e rëndë ka goditur ujërat e Detit Mesdhe, ku të paktën dhjetë persona kanë humbur jetën pasi një anije e mbushur me emigrantë u përmbys pranë brigjeve të Maltës. Sipas të dhënave të para nga autoritetet detare, mjeti lundrues ishte nisur nga brigjet e Libisë dhe transportonte rreth 60 persona në bord në momentin kur u përmbys, duke bërë që dhjetëra njerëz të përfundonin në ujë dhe të nisnin një betejë të dëshpëruar për mbijetesë.
Sapo u njoftua për incidentin e rëndë, autoritetet malteze kërkuan menjëherë ndihmën dhe ndërhyrjen e koordinuar të forcave italiane për të menaxhuar situatën emergjente. Roja Bregdetare Italiane bëri të ditur se një prej anijeve të saj të patrullimit arriti të nxirrte nga deti trupat e dhjetë viktimave të para, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhduan me intensitet të lartë përgjatë gjithë pasdites të së dielës. Fatmirësisht, një tragjedi edhe më e përmasave të mëdha u shmang falë pranisë së një anijeje peshkimi që ndodhej pranë zonës së ngjarjes, e cila reagoi me shpejtësi duke arritur të shpëtonte dhe të nxirrte të gjallë nga deti rreth 48 persona.
Kjo ngjarje e rëndë vjen në një kohë kur shifrat e organizatave ndërkombëtare konfirmojnë se rruga e Mesdheut Qendror mbetet një nga më vdekjeprurëset në botë. Sipas të dhënave të fundit nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), që nga fillimi i këtij viti të paktën 827 persona kanë humbur jetën në përpjekje për të kaluar këtë korridor detar, ndërkohë që gjatë vitit të kaluar kjo shifër arriti në mbi 1,330 viktima. Operacionet e përbashkëta mes autoriteteve italiane dhe malteze po vijojnë ende në zonën e përmbysjes së anijes, me shpresën për të gjetur të mbijetuar të tjerë, ndërsa pritet që në orët në vijim të zbardhen detaje të reja mbi identitetin e viktimave dhe rrethanat e plota të këtij aksidenti tragjik./a.d
