Traileri i filmit të ri koncertal të këngëtares amerikane Billie Eilish, me titull “Billie Eilish – Hit Me Hard and Soft: The Tour (Live in 3D)”, ka zbuluar bashkëpunimin e saj me regjisorin legjendar të “Titanic” dhe “Avatar”, James Cameron.
Filmi, i bashkë-drejtuar nga Cameron dhe Eilish, sjell në ekran turneun botëror “Hit Me Hard and Soft”, i cili përfshiu 106 koncerte në mbështetje të albumit me të njëjtin titull.
Në trailer shfaqen momente nga përgatitjet e Eilish për turneun e saj të parë pa vëllain dhe bashkëpunëtorin e ngushtë Finneas, surprizat për fansat që kaluan natën duke kampuar për ta parë, si edhe çaste pushimi në një dhomë të mbushur me qenushë.
Filmi do të publikohet në format 3D, një fushë me të cilën Cameron ka punuar më herët për sagën “Avatar”. Eilish u pa gjithashtu krah regjisorit gjatë premierës botërore të pjesës së fundit të sagës fantastike, “Avatar: Fire and Ash”, në Los Angeles më 2 dhjetor.
“Billie Eilish – Hit Me Hard and Soft: The Tour (Live in 3D)” pritet të mbërrijë në kinematë botërore më 20 mars 2026./mxh
