Dapagliflozina ul me 80% shtrimet në spital për insuficiencë kardiake te personat me rrezik të lartë gjenetik.
Një ilaç i përdorur për trajtimin e diabetit të tipit 2 ka rezultuar efektiv në uljen e rrezikut të insuficiencës kardiake te personat me predispozitë për të zhvilluar këtë gjendje.
Studiuesit thanë se gjetjet, të publikuara në revistën Nature Medicine, tregojnë potencialin në rritje të përfshirjes së testimit gjenetik në strategjitë për parandalimin e insuficiencës kardiake.
Trajtimi, i njohur si dapagliflozina, mund të ndihmojë personat që kanë variante të rralla gjenetike që shkaktojnë kardiomiopati – një sëmundje e trashëguar që dobëson muskulin e zemrës.
Ndërsa dapagliflozina uli shtrimet në spital për insuficiencë kardiake me 32% te personat pa këto variante gjenetike, krahasuar me placebo-n, te bartësit e varianteve të kardiomiopatisë ilaçi uli rrezikun me rreth 80%, sipas studimit të kryer nga Mass General Brigham Heart and Vascular Institute dhe Broad Institute of MIT and Harvard.
“Historikisht, identifikimi i një varianti gjenetik për kardiomiopatinë zakonisht nënkuptonte t’i thuhej pacientit se kishte rrezik të lartë, pa pasur një trajtim specifik parandalues për t’i ofruar”, tha bashkautori kryesor i studimit, Shinwan Kany, shkencëtar në Qendrën e Kërkimeve Kardiovaskulare të Mass General Brigham Heart and Vascular Institute.
Studimi tregon se tashmë ekzistojnë “mjete për të ulur rrezikun te këta individë”, shtoi ai.
Bashkautori Christian Ruff tha se kalimi drejt “ndërhyrjeve të hershme të udhëhequra nga informacioni gjenetik mund të na lejojë t’i mbrojmë këta pacientë të cenueshëm shumë kohë përpara se të shfaqin simptoma”.
Dapagliflozina e trajton diabetin duke rritur nxjerrjen e glukozës dhe natriumit përmes urinës, një proces që, ndër të tjera, mund të ndihmojë zemrën të punojë në mënyrë më efikase. Personat me diabet shpesh kanë rrezik më të lartë për sëmundje të zemrës.
Studiuesit analizuan 12 685 pacientë gjatë një periudhe mesatare prej 4.2 vitesh.
Megjithatë, për shkak se të gjithë pjesëmarrësit në studim kishin diabet të tipit 2, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të përcaktuar nëse dapagliflozina është po aq efektive te bartësit e varianteve të kardiomiopatisë që nuk kanë diabet./ad
