Last Updated on 10/11/2026 by EL
Edhe pse zgjedhjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës pritet të mbahen në nëntor të vitit 2027, gara për drejtimin e partisë ka nisur më herët. Deri më tani, tre figura të LDK-së kanë konfirmuar publikisht synimin për të marrë drejtimin e partisë, ndërsa disa të tjera ende nuk e kanë përjashtuar mundësinë e kandidimit.
Përparim Rama, Hykmete Bajrami dhe Arben Gashi janë tre emrat që deri më tani kanë bërë të ditur se do të garojnë për postin e kryetarit të LDK-së.
Ndërkohë, vëmendja mbetet te kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, i cili ende nuk ka treguar nëse do të kërkojë një mandat të dytë. Në listën e emrave që mund të përfshihen në garë janë edhe nënkryetari Lutfi Haziri, deputetët Avdullah Hoti dhe Armend Zemaj, si dhe Kujtim Shala, emër i përmendur nga vetë Hoti, por që deri më tani nuk ka konfirmuar ndonjë ambicie për kandidim.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ishte ndër të parët që konfirmoi publikisht kandidaturën për drejtimin e LDK-së. Përveç shpalljes së kandidaturës, ai i bëri thirrje edhe kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, që të largohet nga drejtimi i partisë.
Kandidaturën e saj e ka konfirmuar edhe deputetja Hykmete Bajrami, e cila më 6 nëntor bëri të ditur se synon të marrë drejtimin e LDK-së.
Në garë ka paralajmëruar se do të hyjë edhe deputeti Arben Gashi. Në një intervistë, Gashi tha se i plotëson kushtet për të kandiduar, duke përmendur ambicien, profilin politik dhe programin e tij./et
