Nga Romeo Gurakuqi
Së pari, udhëheqja politike nuk përfundon vetëm kur ke rrënuar vendin ose ke krijuar disbalanca të thella në shoqëri, mes krahinave, komuniteteve dhe qytetarëve. Udhëheqësia duhet të marrë fund sapo ndien se rruga që po ndjek, fillon të shfaqë shenja të frenimit të zhvillimit, të neglizhimit të interesit publik dhe të thellimit të pabarazive ndërmjet qendrës dhe periferisë, apo ndërmjet vetë rajoneve. Pikërisht atëherë mbyllet koha e një drejtuesi normal, se e atij që njeh veç humbje dhe rrënime është fikur me kohë. Është momenti kur ai duhet të largohet, për të mos u shndërruar në barrë për atdheun.
Së dyti, çështja e udhëheqjes nuk është thjesht çështje zgjedhjeje, gare mes të shkathtëve të vetëofruar pranë satrapëve qe nuk ikun prej dekadash, por, mbi të gjitha, është çështje kompetence, formimi, integriteti dhe afirmimi të më të mirëve që ofron një shoqni, organizatë, ose komunitet politik. Ajo kërkon aftësinë dhe lirinë e komunitetit politik për të dallue, pikasur liderin e ardhshëm, atë që ka cilësitë e nevojshme për të sjellë zhvillim, siguri dhe besim për vendin, organizatën, qytetarët. Udhëheqësit pikasën dhe thirrën, luten që të vendosën në shërbim te vendit, organizatës, qytetarëve.
Së treti, se askush nuk duhet të ndëshkohet për shkak të kritikës apo mendimit ndryshe. Përkundrazi, në një shoqëri demokratike të gjithë duhet të dëgjohen dhe të respektohen, përderisa kundërshtimi nuk përmban fyerje, por argumentohet me logjikë, fakte dhe bindje. Akti i parë i Andy Burnham ishte deklarimi se asnjë MP nuk mund të përjashtohet nga skuadra për shkak të kritikave që i ka bërë atij.
Fatkeqësisht, Shqipëria jonë e mjerë, e pengmarrun nga falangat, inatçinjtë, etj., vazhdon të injorojë modele përzgjedhjesh dhe qendrimesh të tilla politike dhe shërbenjëse. Ne krenohemi se i zgjedhim udhëheqësit me zgjedhje te lira brendapartiake. Një tallje e madhe të cilën të gjithë e përflasin, por njëzëri e duartrokasin me servilizëm. Ne pretendojmë të zgjedhim drejtuesit përmes rregullave që i harton vetë udhëheqësi që ka dështuar sistematikisht. Ne ne fakt zgjedhim të shkathtit e vetëofruar që sjanë as me ruajtë dyert e institucioneve ku militojnë. Ky është një rreth vicioz, brenda të cilit vazhdojnë të rrotullohen shqiptarët, të mbetur peng të partive, në një atdhe të kapur nga mashtrimi, formalizmi, fasadat mashtruese dhe nga ata që e kanë shndërruar pushtetin e vogel ose të madh në instrument të interesave të tyre.
