Një operacion i bujshëm ka tronditur showbiz-in turk! Emra të njohur të kinemasë, muzikës dhe sportit janë përfshirë në një hetim për përdorim dhe lehtësim të përdorimit të lëndëve narkotike.
Prokuroria e Bakırköy-t në Stamboll ka lëshuar urdhra ndalimi për 18 persona, mes tyre disa prej emrave më të njohur të ekranit turk. Në listë ndodhen aktorët Aras Bulut İynemli dhe Melis Sezen, reperi Sefo, si edhe ish-futbollisti i njohur Hasan Şaş.
Operacioni është zhvilluar më 18 shtator nga ekipet e Komandës së Xhandarmërisë së Provincës së Stambollit, pas udhëzimeve të prokurorisë.
Por emrat e përfshirë nuk mbarojnë këtu. Sipas autoriteteve, në kuadër të hetimit janë përfshirë edhe aktoret Nilperi Şahinkaya, Melis İşiten, Yeliz Yeşilçimen, Hazal Filiz Küçükköse, si dhe emra të tjerë nga bota e muzikës, biznesit dhe rrjeteve sociale.
Dyshime për përdorim dhe lehtësim të përdorimit të drogës
Sipas Prokurorisë së Bakırköy-t, hetimi ka nisur mbi bazën e provave që, sipas autoriteteve, krijojnë dyshime të arsyeshme se disa prej personave të përfshirë mund të kenë përdorur substanca narkotike ose stimuluese, të kenë lehtësuar përdorimin e tyre apo të kenë siguruar ambiente për konsumimin e tyre.
Autoritetet kanë urdhëruar kontrolle, ekzaminime biologjike dhe marrjen në pyetje të personave të dyshuar. Pas këtyre procedurave, ata do të dërgohen përpara prokurorëve.
Hetimi vijon nën drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme të Bakırköy-t dhe deri në këtë fazë bëhet fjalë për dyshime nën hetim, jo për fajësi të provuar./mxh
