Presidenti amerikan Donald Trump i ka mohuar informacionet e publikuara një ditë më parë nga Washington Post, sipas të cilave ai dhe Vladimir Putin kishin folur në telefon për Donetskun dhe ka ritheksuar dëshirën që Rusia dhe Ukraina “të ndalin” konfliktin.
“78% e territorit është tashmë i pushtuar nga Rusia. Mund të negociojnë diçka më vonë,” tha presidenti amerikan lidhur me Donetskun, sipas La Repubblica.
Kjo deklaratë e presidentit amerikan hedh poshtë lajmin e Washington Post, megjithatë e lë të hapur idenë se Donetsku mund të bëhet objekt diskutimi në të ardhmen.
Ndërkohë, Kievi ka reaguar ashpër, duke ritheksuar se nuk do të pranojë kurrë legjitimizimin e agresionit rus dhe ka kërkuar nga aleatët perëndimorë një qëndrim më të prerë ndaj qëllimeve të Kremlinit. Në prapaskenë, duket se diplomacia amerikane ka filluar të lëkundet mes ruajtjes së një balanci të paqartë dhe kërkesës për një përfundim të shpejtë të luftës.
Lufta në Ukrainë duket larg përfundimit, por pozicionet ndërkombëtare po evoluojnë në mënyrë të ndjeshme. Ndërsa Kievi përballet me sfida të mëdha ushtarake dhe diplomatike, presioni për të pranuar realitetin e ri në terren po vjen edhe nga aleatët më të afërt./kb
