Last Updated on 11/08/2026 by EL
Papastëria e disa prej plazheve në jug të vendit është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, madje duket se së fundmi situata ka marrë përmasa të reja, përkatësisht në plazhin e Borshit. Turistë të shumtë janë shprehur se përveç ndotjes së ujit të detit, së fundmi pasi janë larë në det, ata janë përballur me disa njolla nafte të ngjitura në trup e në rrobat e tyre.
“Ka dy ditë që nuk po lahemi në det, pasi është shumë i ndotur. Deti është mbushur me copa të zeza” janë shprehur një nga qytetarët në denoncimet e bëra për JOQ Albania.
Një tjetër turist është shprehur se në det lundrojnë mbetje që ngjajnë me vaj motorik, ndërsa tregon se si rrobat e pushuesve janë bërë me vaj.
“Në Borsh përsëri ka ndodhur një incident me naftën. Mezi pastrohet. Na u prishën rrobat, çadrat shapkat, u bëmë zhul” shkruan një tjetër qytetar.
Denoncimet nga turistë vendas e të huaj që kanë zgjedhur jugun e Shqipërisë për të kaluar pushimet verore, vijnë afro një muaj pas denoncimeve të bëra në rrjet se detet në pjesën e jugut, përkatësisht Borsh, Qeparo dhe Porto Palermo, këtë sezon turistik kanë qenë të ndotura dhe me një aromë të pakëndshme./et
