Zonat turistike do të shihen me prioritet në lidhje me investimet në energji. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë një inspektimi në nënstacionin e ri të Golemit, theksoi rëndësinë e këtij investimi për përballimin e fluksit në rritje të turizmit si dhe prioritetet në disa zona të tjera.
“Në kuadër të planit të masave që ministria dhe OSSH kanë për zonat turistike dhe bregdetare jemi sot në nënstacionin e ri të Golemit ku kemi dyfishuar kapacitetin dhe i kemi dhënë zgjidhje përfundimtare 50 mijë banorëve që furnizon ky nënstacion duke përfshirë dhe zonat turistike duke përfshirë Malin e Robit, Golemin por edhe Qerretin me furnizim,” tha Karakaçi.
Ai shtoi se ndërhyrjet janë pjesë e një programi më të gjerë që shtrihet në vijim.
“Ndërkohë OSSH ka një plan masash edhe për vitin 2026 për këtë zonë,” deklaroi ministri.
Përfaqësues të OSSH konfirmuan se investimet do të fokusohen në përforcimin e infrastrukturës ekzistuese dhe zgjerimin e saj në përputhje me zhvillimin urban dhe turistik.
“Kemi një plan investimesh duke qenë se zona e Golemit është një zonë në zhvillim. Parashikojmë pika të tjera që kërkojnë vëmendje dhe momentalisht jemi futur në procesin e fuqizimit të nënstacionit në Porto Romano i cili do të kalojë nga 50 mega në 100 mega pra do të shtojmë edhe një transformator tjetër,” tha përfaqësuesi i OSSH.
Sipas tij, ndërhyrjet përfshijnë edhe modernizimin e rrjetit ekzistues në zonat turistike.
“Kemi investim në plazhin e Golemit pasi disa fidera kanë mbetur me tension 6 kv dhe do të kthehen në 20 kv. Po kështu do mbyllim edhe disa fidera që të kthehen në unazorë ku përveç shtimit të kapacitetit të kemi edhe fleksibilitet në sigurinë e furnizimit” shtoi ai.
Ministri theksoi se investimet synojnë jo vetëm rritjen e kapaciteteve, por edhe reduktimin e humbjeve në rrjet. “Këto investime janë të rëndësishme jo vetëm për uljen e humbjeve por edhe për sigurinë e furnizimit,” tha Karakaçi.
Fokusi i ndërhyrjeve mbetet edhe në zona që vijojnë të kenë problematika, si Spilleja, ku institucionet kanë mbyllur një fazë të parë investimi.
“Ndërkohë kemi pasur një shqetësim gjatë këtyre viteve në zonën e Spillesë. Vitin e shkuar nisëm dhe këtë vit e mbyllim fazën e parë të investimit aty, një investim i rëndësishëm pasi prek zonën ku kemi pasur probleme. Por OSSH parashikon të zbatojë një fazë të dytë. Spilleja është në të paktat zona turistike që kanë ende probleme dhe ku ne po vijojmë investimet. Do të vendoset një rrjet 20 kilovolt dhe kemi disa problematika në fund të linjës për shkak të ngarkesës,” u shpreh ministri.
Zgjerimi i rrjetit energjetik në bregdet vjen në një kohë kur Shqipëria po regjistron rritje të ndjeshme të turizmit, duke shtuar presionin mbi infrastrukturën ekzistuese dhe duke e bërë furnizimin e qëndrueshëm me energji një prioritet kyç për sezonet e ardhshme.
