Last Updated on 04/08/2025 by adminfjala
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Baincë të komunës së Lipjanit në Kosovë. Një person i cili ishte raportuar më herët si i zhdukur nga familjarët, është gjetur i groposur nga ata.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se rasti po trajtohet si “vrasje e rëndë”.
“Sot rreth orës 12:00, në fshatin Baicë të Lipjanit, është gjetur i groposur një trup i pajetë (ende i paidentifikuar). Hetuesit policorë, në koordinim me prokurorinë, kanë nisur veprimet procedurale, ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi dhe identifikim”, ka thënë Ahmeti.
Sipas informacioneve të para, trupi i pajetë është gjetur nga familjarët e viktimës, i cili ishte raportuar i zhdukur. Dyshohet se i groposur është gjetur E.B, zhdukjen e të cilit e bëri të ditur familja e tij, e cila kërkoi edhe ndihmë për ta gjetur.
Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi motivet apo të dyshuarit e mundshëm. Policia dhe prokuroria kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. m.p.
