Nga Leonard Veizi
Thuhet se janari i vitit 1919 bëri i ftohtë në Itali. Por për Ismail Qemalin, – që ishte bujtës në ato anë, – akulli më i madh ishte largësia nga bregu i tij. Në dhomat e hotelit “Brufani” në Peruxhia, aty ku diplomacia përpiqej të vizatonte fatet e reja të Ballkanit, “Plaku i Vlorës” po bënte betejën e tij të fundit. Sytë që kishin parë rënien e një perandorie dhe lindjen e një shteti, u mbyllën përgjithmonë larg zhurmës së dallgëve të Adriatikut. Ishte 24 janari i vitit 1919. Ai vdiq në mërgim, por me mendjen te Shqipëria, duke lënë pas një komb që sapo kishte mësuar të thërriste “Liri”…
…Vdekja e Ismail Qemalit nuk mbeti vetëm një fakt mjekësor; ajo u shndërrua shpejt në një enigmë që ushqen ende debatet historike. Edhe sot, kur flitet për vdekjen e tij në Peruxhia, përballen dy realitete: ai i letrave zyrtare dhe ai i dyshimeve që lindin nga konteksti i kohës.
Sipas dokumentacionit të mjekëve italianë, “Plaku i Vlorës” mbylli sytë si pasojë e një hemorragjie cerebrarle. Në moshën 75-vjeçare, pas një jete të kaluar në mes të stuhive politike, udhëtimeve të pafundme dhe stresit mbytës të një shteti që lëngonte, trupi i tij thjesht u dorëzua.
Dhe me sa duket nuk ekziston asnjë raport mjeko-ligjor që të dëshmojë diçka të kundërt: dhunë fizike fjala vjen apo helmim.
Ndërsa trajtimi i tij me protokoll shtetëror nga Italia përforcoi idenë e një vdekjeje natyrore në kushte zyrtare. Por kjo nuk është për t’u marrë shumë parasysh. Sidomos kur flitet për shërbime sekrete.
Hija e dyshimit
Megjithatë, historia shpesh shkruhet mes rreshtave. Dyshimet për një eliminim të mundshëm nuk lindën nga dëshmitë, por nga logjika e ashpër e pushtetit:
Zhdukja e tij në prag të Konferencës së Paqes në Paris i leverdiste të gjithë atyre që e shihnin Ismail Qemalin si pengesë për copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
Ai nuk ishte një “kukull” diplomatike; autoriteti i tij i bënte aleatët dhe fqinjët të ndiheshin të pasigurt.
Në një rajon ku vdekjet e figurave kyçe jashtë vendit janë parë gjithmonë me dyshim, ideja e “helmimit të ngadaltë” u bë pjesë e mitit të tij.
Mbi torpedinieren “Alpino”
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta tronditi jo vetëm familjen, por mbarë opinionin shqiptar, i cili shihte tek ai busullën morale të pavarësisë. Më 8 shkurt 1919, nisi udhëtimi që do ta kthente triumfalisht në shtëpi. Trupi i tij, i shoqëruar nga tre djemtë e tij – Et’hemi, Qazimi dhe Qamili – u përcoll me tren drejt Brindizit nën vëzhgimin e nderimit italian.
Aty, mbi bordin e torpedinieres “Alpino”, arkivoli i mbuluar me zi u vendos përballë detit që e priste. Ky udhëtim nuk ishte thjesht një transferim kufome mortore, por një kthim simbolik i vetë shtetësisë shqiptare në limanin ku lindi. Kur “Alpino” çau dallgët drejt Vlorës, dukej sikur i gjithë horizonti po përkulej para njeriut që guxoi të ngrinte një flamur mes stuhisë.
Ceremonia e Kaninës
Më 12 shkurt, Vlora nuk ishte sa një qytet në zi aq dhe një tempull i hapur. Trupi i Ismail Qemalit, i vendosur mbi një shtrat topi – simboli i luftës që ai e ktheu në diplomaci – u mbështoll me Flamurin Kombëtar, atë pëlhurë që ai vetë e kishte shenjtëruar gjashtë vite më parë.
Një det njerëzish, një lumë i pafund lotësh dhe heshtjeje, e shoqëruan drejt lartësive të Kaninës. Rruga drejt varrezave të familjes Vlora, në oborrin e Teqesë, u kthye në një marshim kombëtar. Aty, mes ullinjve shekullorë dhe mureve të lashta, ai u preh në paqe, duke u bërë pjesë e vetë gurit dhe tokës që mbrojti deri në frymën e fundit.
Vetëm pas 13 vitesh prehje në kalanë e Kaninës, eshtrat e kryeministrit të parë të shtetit shqiptar, me rastin e 20 vjetorit të shpalljes së pavarësisë u zbritën në Vlorë, në datën e shënuar të 28 nëntorit 1932. Trupi i Ismail Qemalit u vendos në vendin ku ndodhet edhe sot, nëtek “Sheshi i Flamurit” në Vlorë.
Nga lider në mit
Ky nderim kolektiv kapërceu kufijtë e një funerali të thjeshtë. Siç vëren studiuesja franceze Nathalie Clayer, figura e Ismail Qemalit pësoi një metamorfozë pas vdekjes: ai u shndërrua në “Babain e Kombit”.
Ndërsa shqiptarë të tjerë të kohës kishin qasje të ndryshme politike, imazhi i Ismail Qemalit u kristalizua si pika e vetme e takimit për të gjithë. Ai u mitizua jo për t’u larguar nga e vërteta, por për t’u ngulitur si simboli i palëkundur i themelimit.
Epilogu
Pavarësisht nëse zemra e tij ndaloi nga mosha apo nga dora e padukshme e politikës, rezultati mbeti i njëjtë: Shqipëria humbi arkitektin e saj, por fitoi një simbol të pavdekshëm. Ai hyri në histori si njeri dhe doli prej saj si institucion.
