Ukraina po përgatit një plan të ri paqeje që pritet t’i paraqitet Shtëpisë së Bardhë, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky ka theksuar se nuk ka asnjë të drejtë ligjore apo morale të dorëzojë territore ndaj Rusisë.
Deklaratat e tij u bënë gjatë një turi diplomatik në Europë, ku Zelensky u takua me liderë të BE-së dhe NATO-s, në përpjekje për të bindur aleatët që të mos pranojnë një marrëveshje paqeje që përfshin koncesione të mëdha territoriale.
Sipas mediave ndërkombëtare, plani i parë amerikan me 28 pika, i refuzuar nga Kievi dhe disa kryeqytete europiane si tepër i favorshëm për Moskën, është reduktuar në 20 pika. Zelensky ka theksuar se asnjë pikë pro-ukrainase nuk është hequr, ndërsa çështja e territorit mbetet e paprekshme.
Zelensky tha: “Rusia po këmbëngul që ne të heqim dorë nga territoret, por ne nuk duam të japim asgjë.”
Ai vazhdoi: “Ne nuk kemi asnjë të drejtë ligjore ta bëjmë këtë, sipas ligjit ukrainas, kushtetutës sonë dhe ligjit ndërkombëtar. Dhe nuk kemi asnjë të drejtë morale gjithashtu.”
Samiti i zhvilluar të hënën në Londër me pjesëmarrjen e Zelenskyt, kryeministrit britanik Keir Starmer, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz u pa si një demonstrim i qartë mbështetjeje për Ukrainën. Liderët europianë përsëritën thirrjen për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, e cila duhet të përfshijë garanci të forta sigurie.
Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë forme do të marrin këto garanci dhe deri ku do të shkojë angazhimi amerikan në mbështetje të mbrojtjes së ardhshme të Ukrainës. Britania dhe Franca kanë propozuar vendosjen e trupave ndërkombëtare, por Gjermania dhe Italia kanë shprehur skepticizëm.
Pas takimeve në Londër, Zelensky udhëtoi drejt Brukselit për t’u takuar me kreun e NATO-s Mark Rutte dhe presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, ndërsa të martën pritet të takohet me kryeministren italiane Giorgia Meloni.
Nga ana tjetër, Moska ka deklaruar se bisedimet me Shtëpinë e Bardhë kanë qenë konstruktive, megjithëse nuk ka dhënë shenja se është e gatshme të lëvizë nga kërkesat e saj fillestare.
Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur se paqja në Ukrainë është një nga objektivat kryesorë të politikës së tij të jashtme, duke e cilësuar Zelenskyn si pengesën kryesore për arritjen e një marrëveshjeje.
Zelensky sot në Romë
Presidenti Zelensky njoftoi se planifikon të udhëtojë drejt Romës të hënën në mbrëmje, ose shumë herët të martën, pas vizitave që zhvilloi në Bruksel dhe Londër të hënën, ku u takua me liderët europianë në kuadër të një plani të udhëhequr nga SHBA, i cili synon t’i japë fund pushtimit rus.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni gëzon një pozicion të veçantë si një nga udhëheqëset europiane që ka pasur vëmendjen e presidentit amerikan Donald Trump. Italia nuk ishte mes shtatë vendeve që nënshkruan të dielën për të shtyrë përpara skemën e huave të mbështetura nga asetet e ngrira ruse. Përveç sanksioneve europiane ndaj karburanteve fosile ruse, nga të cilat Italia ka qenë shumë e varur, Roma duket se ka qenë e kujdesshme për të mos provokuar administratën Trump me një mbështetje të pakushtëzuar për Ukrainën.
Megjithatë, siç shkroi të dielën gazeta italiane Corriere della Sera: “Takimi i së martës mes kryeministres Giorgia Meloni dhe Zelenskyt synon të përgënjeshtrojë narrativën se Italia është e vakët në mbështetjen ndaj Ukrainës për të mos zemëruar Donald Trump. Përkundrazi, takimi konfirmon angazhimin e Italisë për mbrojtjen e Kievit. Megjithatë, fakti që ky takim zhvillohet një ditë pas samitit në Londër mes Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe me Zelenskyn, ku Meloni nuk ishte e pranishme, nuk kalon pa u vënë re.”
Papa Leo XIV gjithashtu pritet të takojë Zelenskyn të martën në orën 9:30 të mëngjesit në Castel Gandolfo, sipas raportimeve të Corriere-s.
“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën për aq kohë sa lufta vazhdon, por të gjithë po punojmë për paqen,” është cituar të ketë thënë ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani./kb
