Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF ka deklaruar se lufta ka zhvendosur 20% të popullsisë së Libanit vetëm në tre javë, me një mesatare prej 19,000 fëmijësh të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre çdo ditë.
“Një nga sfidat që kemi është vërtet arritja e atyre fëmijëve, veçanërisht në jug të Libanit”, tha për CNN përfaqësuesi i UNICEF-it në Liban, Marcoluigi Corsi.
Sipas Corsi ka fëmijë që janë të bllokuar në komunitete që janë shumë të vështira për t’u arritur, dhe akoma më shumë pas bombardimeve dhe shkatërrimit të disa urave nga sulmet ajrore.
Ushtria izraelite ka hedhur në erë disa ura mbi lumin Litani si pjesë e një sulmi më të gjerë në jug. Një sfidë tjetër është mbështetja e fëmijëve që tani jetojnë në strehimore të përkohshme, shumë prej të cilëve janë zhvendosur disa herë dhe janë traumatizuar vazhdimisht.
Organizata si UNICEF tani po punojnë për të ofruar shërbime bazë, të tilla si vaksinimet për fëmijët e vegjël, kujdesi mjekësor dhe qendrat bazë të të nxënit, ndërsa shkollat mbeten të mbyllura.
Në disa pjesë të Libanit, bombardimet kanë ndërprerë aksesin në nevojat themelore si uji i pastër, pasi rezervuarët dhe stacionet e pompimit janë shkatërruar.
