Një vaksinë eksperimentale kundër kancerit të lëkurës, e zhvilluar nga kompanitë farmaceutike Moderna dhe Merck, ka treguar rezultate premtuese pas pesë vjet ndjekjeje klinike. Kjo terapi duket se ka efekte të fuqishme anti-tumorale dhe përfitime në mbijetesë për pacientët me melanomë të avancuar.
Si funksionon terapia:
Vaksina përfshin teknologjinë mRNA të personalizuar të Moderna, e quajtur intismeran autogene, e kombinuar me medikamentin e imunoterapisë Keytruda të Merck.
Ky kombinim trajtues ul rrezikun e rikthimit të kancerit ose të vdekjes me rreth 49% te pacientët me melanoma me rrezik të lartë, krahasuar me trajtimin vetëm me Keytruda. mRNA-ja punon duke “stërvitur” qelizat e sistemit imunitar që të njohin shenjat unike të qelizave kancerogjene, ndërsa Keytruda bllokon proteina që tumorët përdorin për t’u fshehur nga imuniteti. Kjo ndihmon qelizat T të sulmojnë më efektivisht qelizat tumorale.
Rezultatet e deritanishme janë të nxitura nga pesë vjet ndjekje pas përfundimit të kirurgjisë te pacientët me melanoma që ishin trajtuar. Terapia është aktualisht në fazën e dytë të provave klinike dhe kompanitë po presin rezultatet nga faza e tretë, e cila është hapi final i testimit për të konfirmuar përfitimet në një numër më të madh pacientësh.
Melanoma është forma më serioze e kancerit të lëkurës, e karakterizuar nga rritja e pakontrolluar e qelizave që prodhojnë melaninë. Që nga vitet e fundit, incidenca e melanomës është rritur, me qindra mijëra raste të reja të diagnostikuara në mbarë botën çdo vit. Terapia e re synon rastet me rrezik të lartë, që shpesh kthehen edhe pas heqjes kirurgjikale.
Përveç për melanoma, Moderna dhe Merck po provojnë teknologjinë e njëjtë edhe në kancere të tjera, siç janë ato të mushkërive, fshikëzës së urinës dhe veshkave, me shpresë se mund të ofrojnë përfitime të ngjashme edhe atje./K.M
