Alesia Balliu, e e cila ka shpallur kandidaturën për drejtimin e PD-së, duke dalë si rivale e Sali Berishës, ka bërë një denoncim të fortë në rrjetet sociale dhe ka hedhur akuza ndaj Flamur Nokës se nuk po ndjek të njëjtin standard në parti.
Duke iu referuar përjashtimeve të demokratëve Dritan Burgijan dhe Arlind Boshku, Balliu ka denoncuar se vëllai i deputetit të PD-së në Elbasan Blendi Himçi, Denis Himçi merr tendera nga qeveria.
Ajo ka kërkuar përjashtimin e Himçit nga Partia Demokratike, teksa hedh po ashtu akuza ndaj Flamur Nokës që ndjek standarde të dyfisjta.
“Pse ky standart i dyfishtë, pra kur bëhet fjalë për dy demokratë që nuk i shërbejnë interesave të Flamurit, përjashtohen menjëherë. Kur bëhet fjalë për njerëz që i mbushin xhepin me para Flamur Nokës ata gradohen edhe ju jepet fuqi politike”, thekson ajo në postimin e saj.
Postimi i plotë:
Sot Flamur Noka përjashtoi nga Partia Demokratike dy demokratë si Dritan Burgijan dhe Arlind Boshku, me justifikimin se këta paskan bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me PS.
Por pyetja që duhet bërë sot publikisht është kjo: pse Flamur Noka nuk e përdor të njëjtin standard për të gjithë?
Pse nuk e ndjek të njëjtin parim për deputetin e Elbasanit Blendi Himçi, kur prej kohësh flitet hapur se vëllai i tij merr tendera nga qeveria e Edi Rama dhe bashkëshortja e tij punon në institucione që varen nga kjo qeveri?
Pse ky standart i dyfishtë, pra kur bëhet fjalë për dy demokratë që nuk i shërbejnë interesave të Flamurit, përjashtohen menjëherë. Kur bëhet fjalë për njerëz që i mbushin xhepin me para Flamur Nokës ata gradohen edhe ju jepet fuqi politike.
Partia Demokratike nuk do të bëhet më e fortë duke përjashtuar demokratë një nga një, si të ishin armiq. Do të bëhet më e fortë vetëm ditën kur të ndalen thikat pas shpine dhe kur të kuptohet një herë e mirë që PD është e demokratëve dhe jo e Flamur Nokës.
