Ambasada e Kosovës në SHBA ka njoftuar se 17 shkurti është shpallur zyrtarisht, si dita e Pavarësisë së Kosovës, në Washington.
Në një postim të ambasadës në “X”, është publikuar dokumenti zyrtar i firmosur nga kryetarja e Washingtonit, Muriel Bowser.
Në deklaratë thuhet se ky vendim ka ardhur si rezultat i përparimit të madh që Kosova ka shënuar për mbrojtjen e ligjit, të drejtave të njeriut e forcimit të saj ndërkombëtar që nga viti 2008.
“Faleminderit kryetarja Bowser që njohët zyrtarisht 17 shkurtin si Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Washington, D.C.”, thuhet në postimin e Ambasadës.
Vendimi i plotë:
DUKE PASUR PARASYSH se, që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës ka shënuar përparim të madh në promovimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare; dhe
DUKE PASUR PARASYSH se lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është unike dhe e qëndrueshme, e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike, partneritet afatgjatë dhe respekt të thellë të ndërsjellë; dhe
DUKE PASUR PARASYSH se qytetarët shqiptaro-amerikanë japin kontribute të rëndësishme në pasurimin kulturor dhe qytetar të Uashingtonit, DC; dhe
DUKE PASUR PARASYSH se ne i bashkohemi komunitetit shqiptar dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në përkujtimin e 18-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës;
TANI, PRANDAJ, UNË, KRYETARJA E BASHKISË SË WASHINGTON, DC, shpall 17 shkurtin 2026 si “DITA E PAVARËSISË SË KOSOVËS” në Washington, DC./mxh
