Last Updated on 05/09/2025 by adminfjala
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka kërkuar shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Kryetari Hysni Gucati tha i janë drejtuar me kërkesë zyrtare për shkarkimin e tij të gjitha grupeve parlamentare, përveç Listës Serbe.
“I kemi dërguar letër të gjitha partive parlamentare si Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës dhe partive të komuniteteve joshumicë. Deri më tani, nuk kemi pranuar asnjë përgjigje,” tha Hysni Gucati.
Ai theksoi se nëse në seancën e parë të ardhshme parlamentare nuk merret vendim për shkarkimin e Bashës, OVL-UÇK do të ndërmarrë masa të tjera.
“Ju e dini pse po e kërkojmë shkarkimin e tij. Ai ka bërë një botim shkencor bashkërisht me një autore maqedonase, Jana Arsovska, e cila ka bërë akuza të rënda dhe të pavërteta ndaj UÇK-së, duke e lidhur atë me aktivitete kriminale dhe drogë gjatë luftës. Kjo është një pavërtetë dhe një gënjeshtër shumë e madhe,” u shpreh Gucati.
Ai paralajmëroi se në rast të mosveprimit nga partitë politike, OVL-UÇK do të organizojë protesta. “Rruga nuk është opsioni ynë i parë, por nëse Parlamenti nuk vepron, do të detyrohemi të dalim në protesta. Për datën dhe orën e protestës do të njoftojmë pas kthimit nga Haga, pasi e kemi një protestë edhe atje”, shtoi ai.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka folur për protestën në Hagë kundër Gjykatës Speciale. Ai tha se qëllimi i protestës është dërgimi i një mesazhi të qartë se gjykimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk bëhet në emër të popullit të Kosovës.
“Ideja e protestës është që bashkëluftëtarët dhe qytetarët e vendit tonë t’i thonë Gjykatës Speciale ‘Jo në emrin tim’. Nuk mund t’i gjykoni krerët e UÇK-së në emër të popullit të Kosovës,” deklaroi Sylai.
Sipas tij, kjo gjykatë është ndërtuar mbi bazën e një vendimi të Kuvendit të Kosovës dhe është pretenduar se do të gjykojë në emër të popullit, por ai theksoi se misioni i saj ka devijuar. “Gjykata Speciale ka devijuar nga misioni fillestar”, shtoi Syla. m.p.
