Last Updated on 07/05/2026 by EL
Interpol ka sekuestruar 6.42 milionë doza produktesh farmaceutike të paautorizuara dhe të falsifikuara, me një vlerë prej 15.5 milionë dollarësh (13.1 milionë euro), gjatë një operacioni të koordinuar në 90 vende, njoftoi agjencia të enjten.
Mallrat e sekuestruara përfshinin medikamente për problemet me ereksionin, qetësues, analgjezikë, antibiotikë dhe produkte kundër duhanpirjes.
Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Valdecy Urquiza, tha se ilaçet e falsifikuara “nuk janë thjesht mashtrim”, por një kërcënim për jetën. “Përmes tregjeve online dhe zinxhirëve informalë të furnizimit, kriminelët mund të shfrytëzojnë boshllëqet duke shënjestruar njerëzit që kërkojnë trajtim të shpejtë ose të lirë. Pasojat mund të jenë të rënda, madje fatale.”
Mbretëria e Bashkuar ishte vendi ku u kap numri më i madh i dozave, 2,122,591 të tilla, e ndjekur nga Kolumbia me 1,473,434 milionë dhe Australia me 752,617 mijë.
Agjencia identifikoi gjithashtu më shumë se 5,000 faqe interneti, profile në rrjete sociale, kanale dhe sisteme të automatizuara të lidhura me krimin që promovonin dhe shisnin ilaçe të paligjshme.
Rritje e ilaçeve të falsifikuara kundër parazitëve
Sipas Interpolit, ka pasur një rritje të ndjeshme të barnave të paligjshme që përdoren për trajtimin e infeksioneve të shkaktuara nga parazitët, përfshirë krimbat, protozoarët dhe ektoparazitët.
Agjencia paralajmëroi se kjo rritje po nxitet nga promovimi gjithnjë e më i madh online i këtyre produkteve si trajtime alternative kundër kancerit, pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve shëndetësore se nuk ka prova shkencore për këto pretendime.
“Shpesh të etiketuara si suplemente shëndetësore, këto produkte po shiten si pjesë e të ashtuquajturave ‘paketa trajtimi për kancerin’, duke i bërë më të lehta për t’u aksesuar dhe për t’iu shmangur ligjit”, shtoi Interpoli.
Tregu i paligjshëm i “barnave të stilit të jetesës”
Operacioni policor zbuloi se kërkesa për produkte farmaceutike të lidhura me performancën dhe stilin e jetesës vazhdon të rritet.
Steroidet ishin produkti më i sekuestruar, me 86,732 doza. Agjencia e lidh rritjen e kërkesës me komunitetet e bodybuilding-ut dhe fitnesit, ndërsa ka gjurmuar prodhimin në Evropën Lindore dhe Juglindore, Indi, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Në internet u gjetën gjithashtu ilaçe të falsifikuara GLP-1 për humbje peshe, që shiteshin për vetëm 10 dollarë (8.49 euro). Agjencia paralajmëron se disa prej këtyre produkteve përmbajnë sibutraminë, një substancë e ndaluar në shumë vende, përfshirë Bashkimin Evropian, për shkak të rrezikut të shtuar për infarkt dhe goditje në tru./ET
