Last Updated on 19/07/2025 by adminfjala
19 korrik 1941
Nga Leonard Veizi

Bota përpëlitej mes shkatërrimit dhe shpresës. Ishin ditë lufte, dhe çdo mëngjes vinte si një kërcënim i ri mbi qytetet që përvëloheshin nga tymi i bombardimeve naziste. Por një ditë të zymtë londineze, kur qielli mbi Britaninë dukej se kishte humbur edhe ngjyrën e vet, një burrë me kapelë të zezë, me trupin e rënduar nga vitet dhe një puro të ngjeshur ndër gishta, doli përpara një populli të rraskapitur. Ishte Uinston Çërçill. U ngjit në një podium të improvizuar dhe, para se të fliste, ngriti dorën e djathtë. Me një lëvizje të thjeshtë, por të ngarkuar me simbolikë, ai vizatoi në ajër me gishtin tregues dhe të mesit shkronjën V – “Victory”.
Fitore.
Ai gjest i thjeshtë do t’u mbijetonte jo vetëm ditëve të luftës, por edhe dekadave që do të vinin. Sepse ajo “V” nuk ishte vetëm një shenjë triumfi ushtarak; ishte një thirrje e heshtur për qëndresë. Një dritë që shpërthente nga errësira, një betim i brendshëm se njeriu, edhe përballë makinerisë së tmerrit, nuk e humb shpirtin. “V”-ja e Çërçill-it përshkoi kontinentin si një sinjal pa fjalë, por me jehonë të thellë, që ngjalli guxim në zemrat e qytetarëve të rrethuar nga sirenat dhe hapat e çizmeve pushtuese. Ajo u bë metaforë e lirisë së brendshme – fitorja jo vetëm ndaj armikut të jashtëm, por mbi frikën, nënshtrimin dhe dorëzimin e dinjitetit njerëzor.
Ishte korriku i vitit 1941. Lufta e Dytë Botërore kishte hyrë në fazën e saj më të errët. Londra sapo kishte kaluar Blitz-in gjerman dhe ende nuk kishte asnjë garanci se bota e lirë do të mbijetonte. Por gjuha e trupit të Çërçill-it, përherë e shoqëruar me fjalët e tij të zjarrta, u bë një armë morale kundër dëshpërimit. Shenja “V” – herë me shuplakën nga publiku, herë nga vetja – nisi të kuptohej si një gjuhë e re e rezistencës, një kod universal i shpirtit që nuk dorëzohet.
E vërteta është se kjo shenjë nuk lindi atë ditë. Ajo kishte nisur të qarkullonte në mënyrë të përçartur nëpër Evropën e pushtuar, por ishte Çërçill ai që e ngulmoi në ndërgjegjen kolektive si një ikonë. Me zërin e tij të thellë dhe me stilin e fjalës që shponte mjegullën e pasigurisë, ai e bëri atë një betim të heshtur ndaj tiranisë.
Koha kaloi. Lufta përfundoi me fitoren e aleatëve. Por nuk u vendos qetësia. Erdhi një tjetër përplasje – Lufta e Ftohtë – ku frontet ishin ideologjike dhe armët më të mprehta ishin fjalët. Në këtë realitet të ri, shenja “V” e ruajti simbolikën, por ndryshoi dimension. Ajo u bë flamuri i protestuesve për të drejtat civile në Amerikë, simboli i paqes në demonstratat kundër luftës në Vietnam, dhe më vonë, gjesti i guximit në mitingjet e Europës Lindore përballë regjimeve totalitare.
Nga fjala e Çërçill-it në rrënojat e Londrës, deri te pankartat e studentëve në rrugët e Pragës apo Selanikut, “V” vazhdon të jetojë si një shenjë që flet pa zë – një kujtesë se edhe në terr, dy gishta mund të tregojnë drejt dritës.
