Pamje shqetësuese janë bërë publike nga një shkollë në fshatin Thanë, njësia administrative Fiershegan, në Bashkinë e Lushnjë, ku kushtet higjieno-sanitare paraqiten në gjendje të rëndë dhe potencialisht të rrezikshme për nxënësit.
Denoncimi është bërë nga deputeti Saimir Korreshi, i cili publikoi pamje nga ambientet e shkollës, duke treguar realitetin e përditshëm me të cilin përballen fëmijët në këtë zonë rurale.
Deputeti ka treguar se tualetet janë jashtë çdo standardi, pa dyer dhe pa dritare, të amortizuara dhe të papërdorshme në kushte normale. Situata bëhet edhe më alarmante nga raportimet për prani gjarpërinjsh në këto ambiente, çka rrit ndjeshëm rrezikun për sigurinë e nxënësve.
Gjithashtu, oborri i shkollës shfaqet i mbushur me mbeturina, duke reflektuar një mungesë të theksuar mirëmbajtjeje dhe investimi në infrastrukturën arsimore.
Në reagimin e tij, Korreshi ironizoi me reformat në arsim, duke theksuar hendekun mes deklaratave zyrtare dhe realitetit në terren. “Kjo është situata me të cilën përballen kalamajtë nëpër fshatra… është ulëritëse”, shprehet ai në video.
Rasti ka ngritur shqetësime serioze dhe shihet si një kambanë alarmi për institucionet përgjegjëse, ndërsa thekson problematikat e vazhdueshme të kushteve në shkollat rurale në Shqipëri, ku siguria dhe dinjiteti i nxënësve shpesh mbeten të cenuara.
“Qenef dhe gjarpërinj
Situata e banjove. Pa derë, pa penxhere. Kur thosha që kemi të bëjmë me qenefe, ju thonit, urdhëro se i keni. Kjo është sekuencë: qenef, banjo, ambient, gjarpërinj. Kjo është situata me të cilën përballen kalamajtë nëpër fshatra. Reforma e këtyre në arsim që na hoqën mendjen dhe që na i tregojnë. Urdhëro! Është ulëritëse, s’është ulëritëse?! Kur them që janë banjo pa… pa dyer, i heqin njerëzit, detyrohen, janë qenefe, hale. Hale, hale, e patë vet, hale. Urdhëro oborri i shkollës, na si e kemi, shiko. Shiko si ke plehrat me oborrin e shkollës. Ja dhe unë te kalamajtë. Shiko këtu mbrapa çfarë ke, domethënë çfarë tmerri. Faqe e zezë!”, denoncon Korreshi./mxh
