Një shpërthim i virusit vdekjeprurës Nipah në shtetin e Bengalit Perëndimor të Indisë ka sjellë shqetësim në disa pjesë të Azisë, me disa masa shtrënguese të kontrollit në aeroporte.
Tajlanda ka filluar kontrollin e pasagjerëve në tre aeroporte ku vijnë fluturime nga Bengali Perëndimor. Nepali gjithashtu ka filluar kontrollin e mbërritjeve në aeroportin e Katmandusë dhe në pika të tjera kufitare tokësore me Indinë.
Dy raste që janë konfirmuar në Bengalin Perëndimor që nga dhjetori, thuhet se janë punonjës të kujdesit shëndetësor. Rreth 196 persona që kanë qenë në kontakt me ta janë gjurmuar dhe kanë rezultuar negativë në testet për virusin, ka thënë ministria e Shëndetësisë e Indisë.
Virusi mund të përhapet nga kafshët te njerëzit. Ai ka një shkallë të lartë vdekshmërie, që varion nga 40% në 75%, pasi nuk ka vaksinë ose ilaç për ta trajtuar atë.
Çfarë është virusi “Nipah” dhe cilat janë simptomat e tij?
Virusi Nipah mund të transmetohet nga kafshët, si derrat dhe lakuriqët e natws, te njerëzit. Ai gjithashtu mund të përhapet nga personi në person përmes ushqimit të kontaminuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përshkruar Nipah në dhjetë sëmundjet e saj kryesore me përparësi, së bashku me patogjenë si Covid-19 dhe Zika, për shkak të potencialit të tij për të shkaktuar një epidemi.
Periudha e inkubacionit varion nga katër deri në 14 ditë. Njerëzit që infektohen me virusin shfaqin një sërë simptomash, ose ndonjëherë edhe asnjë. Simptomat fillestare mund të përfshijnë ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të vjella dhe dhimbje fyti.
Tek disa njerëz, këto mund të pasohen nga përgjumje, ndryshim i vetëdijes dhe pneumoni. Encefaliti, një gjendje ndonjëherë fatale që shkakton inflamacion të trurit, mund të ndodhë në raste të rënda. Deri më sot, asnjë ilaç ose vaksinë nuk është miratuar për të trajtuar sëmundjen.
Në cilat vende ishin regjistruar shpërthimet e kaluara?
Shpërthimi i parë i njohur i Nipah ndodhi në vitin 1998 midis fermerëve të derrave në Malajzi dhe më vonë u përhap në Singaporin fqinj. Virusi mori emrin nga fshati ku u zbulua për herë të parë.
Më shumë se 100 njerëz u vranë dhe një milion derra u therën në përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit. Kjo gjithashtu rezultoi në humbje të konsiderueshme ekonomike për fermerët dhe ata që merren me tregtinë e bagëtive.
Bangladeshi ka mbajtur peshën kryesore në vitet e fundit, me më shumë se 100 njerëz që kanë vdekur nga Nipah që nga viti 2001.
Virusi është zbuluar edhe në Indi. Shpërthime u raportuan në Bengalin Perëndimor në vitet 2001 dhe 2007. Kohët e fundit, shteti jugor i Keralës ka qenë një vatër e Nipah-ut. Në vitin 2018, u raportuan 19 raste, nga të cilat 17 ishin fatale; dhe në vitin 2023, dy nga gjashtë rastet e konfirmuara më vonë vdiqën.
Çfarë po ndodh aktualisht?
Ministria e Shëndetësisë e Indisë tha se pas konfirmimit të rasteve në Bengalin Perëndimor, kontaktet e individëve të infektuar u identifikuan, gjurmuan, monitoruan dhe testuan dhe ishin gjetur të ishin asimptomatikë.
“Situata është nën monitorim të vazhdueshëm dhe janë marrë të gjitha masat e nevojshme të shëndetit publik”, deklaroi ministria e Shëndetësisë.
Ende nuk janë raportuar raste jashtë Indisë, por disa vende po shtojnë masat paraprake. Të dielën, Tajlanda filloi kontrollin e pasagjerëve në tre aeroporte ndërkombëtare në Bangkok dhe Phuket që pranojnë fluturime nga Bengali Perëndimor. Pasagjerëve nga këto fluturime u është kërkuar të japin deklarata shëndetësore.
Departamenti i parqeve dhe i jetës së egër ka zbatuar gjithashtu kontrolle më të rrepta në atraksionet turistike natyrore. Edhe Nepali ka filluar të kontrollojë njerëzit që mbërrijnë përmes aeroportit në Katmandu dhe pikave të tjera kufitare tokësore me Indinë.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore në Tajvan kanë propozuar që virusi Nipah të listohet si një sëmundje e Kategorisë 5. Sipas sistemit të ishullit, sëmundjet e klasifikuara si Kategoria 5 janë infeksione të reja ose të rralla me rreziqe të mëdha për shëndetin publik, që kërkojnë raportim të menjëhershëm dhe masa të posaçme kontrolli./mxh
